Drejtuesi politik i koalicionit “Nisma Shqipëria bëhet”, Adriatik Lapaj, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për frikë ndaj zgjedhjeve të parakohshme. Në një video të postuar në rrjetet sociale, Lapaj deklaroi se qëllimi i opozitës është të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme për të ndaluar përdorimin e administratës dhe institucioneve shtetërore për përfitime elektorale.
Ai tha se zgjedhjet janë të domosdoshme për të ndalur blerjen e votave me para publike dhe presionin ndaj qytetarëve e bizneseve.
“Të ka zënë frika i madh, të ka zënë frika. E di se do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, do të shkojmë që ti të mos e dhunosh më administratën dhe ti detyrosh për votë, do të shkojmë që të mos kesh më të fortë rreth vetes, me ata që mban rreth e rrotull kërcënojnë qytetarët. Do shkojmë që të mos përdorësh tatimorët për të dhunuar biznesin dhe të mos blesh votë me paratë e vjedhura të shqiptarëve. Çfarë ke ti pse e ke me kaq shqetësim, duhet që të ishe më i qetë do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme nëse qytetarët na besojnë ne aq mandate sa ti mos e krijosh dot qeverinë. Edhe 10 ditë,” tha Lapaj.