Sekuestrohen nga Policia rreth 200 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa. Strukturat e Komisariatit të Policisë Mat, bazuar në Planin e Veprimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, “Mbi masat që duhen marrë për evidentimin dhe goditjen e fenomenit të sigurimit të farave për kultivimin e bimëve narkotike, në sera, tunele, dhe ambiente të tjera”, kanë organizuar grupe kontrolli për këtë qëllim.
Në kuadër të këtyre kontrolleve, gjatë ditës së sotme, në njësinë Administrative Baz, në afërsi të lagjes Daci, nga policia gjatë kontrollit në një tunel, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, rreth 200 kg lëndë narkotike, e futur nëpër thasë. Lënda narkotike është gjetur rreth 25 metra në brendësi të tunelit.