Lady Gaga shkroi një faqe të re në historinë e muzikës me një koncert falas në plazhin legjendar të Copacabanës, në Rio de Janeiro. Mbi 2.1 milionë spektatorë ndoqën “Mayhem on the Beach”, duke e kthyer natën e 3 majit në një nga më të mëdhatë e të gjitha kohërave dhe duke thyer rekordin e vendosur nga Madonna në vitin 2024.
Koncerti shënoi rikthimin e saj në Brazil pas 13 vitesh dhe ishte pjesë e promovimit për albumin e ri “Mayhem”. E përshkruar nga vetë Gaga si një “vepër gotike”, performanca u nda në pesë akte me skenografi të frymëzuar nga teatri grek. Ajo interpretoi hite si “Bloody Mary”, “Shallow”, “Bad Romance”, “Paparazzi” dhe “Poker Face”, por edhe këngë të reja nga albumi i fundit
Në një moment, Lady Gaga i kushtoi një homazh komunitetit LGBTQ+ në Brazil duke valëvitur flamurin shumëngjyrësh gjatë këngës “Born This Way”. Artistja veshi gjithashtu kostume me ngjyrat e flamurit brazilian dhe i drejtoi publikut fjalime në portugalisht me mirënjohje për dashurinë që mori.
Koncerti pati ndikim të madh ekonomik, duke gjeneruar rreth 100 milionë euro dhe duke tërhequr më shumë se 500.000 turistë. U organizua nga Bashkia e Rios në kuadër të nismës “Todo Mundo no Rio”, dhe u financua përmes fondeve publike dhe sponsorizimeve private.
Për Lady Gaga, ky koncert ishte edhe një shpagim personal pas anulimit të performancës në “Rock in Rio” në vitin 2017 për shkak të fibromialgjisë (gjendjes së saj shëndetësore në atë kohë). Ajo e përshkroi natën si historike dhe u shpreh thellësisht e prekur nga ngrohtësia e publikut brazilian.