I ftuar në një studio televizive, Teliti deklaroi se lirimi i hapësirave publike është një detyrë normale e bashkisë dhe jo një veprim që duhet të vijë nga vetë kryeministri.
Këshilltari për Çështjet Ekonomike në Partinë Demokratike dhe njëherazi nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti, ka reaguar për aksionin e ndërmarrë nga qeveria për lirimin e hapësirave publike të zëna nga subjektet private.
Dorjan Teliti:
“E kemi kërkuar me insistim në Këshillin Bashkiak që hapësirat publike të lirohen nga pushtimi i bizneseve dhe të përdoren në shërbim të qytetarëve. Kemi kërkuar vazhdimisht dokumentacionin mbi lejet e dhëna nga bashkia, por nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje. Sot që po realizohet ky aksion, është mirë që po ndodh, por është thjesht puna normale e një institucioni vendor,” tha Teliti.
Ai vuri në dukje se mungesa e transparencës dhe mosveprimi ndër vite e ngre pyetjen: “Për muajt dhe vitet ku nuk kemi jetuar me këtë standard, kush mban përgjegjësi?”
Sa i takon ndërhyrjeve në Theth për shembjen e ndërtimeve pa leje, Teliti ngriti dyshime mbi qëllimet e qeverisë, duke përmendur përkimin e këtij aksioni me nisjen e aplikimeve për të ashtuquajturën “Paketë të Maleve”, një program për zhvillimin turistik të zonave malore.
“Nesër hapen aplikimet për Paketën e Maleve, dhe lind pyetja nëse ky aksion në Theth është i motivuar vetëm nga ligjshmëria apo edhe nga interesat që lidhen me këto zhvillime të reja. Sot po shemben ndërtime pa leje, nesër do të shohim kush do të përfitojë të drejtën për të ndërtuar në ato territore.”