Ekipi u 21 i Shqipërisë zhvilloi lojë të fortë në miqësoren me Zvicrën, por pa arritur të fitojnë. Megjithatë paraqitja u vlerësua e rëndësishme për përballjet zyrtare
Kombëtarja shqiptare U-21 luajti miqësoren e dytë të shtatorit ndaj Zvicrës në stadiumin “Brügglifeld” të Aaraut. Kuqezinjtë u mposhtën në këtë takim me rezultatin 2-1. Golin e Shqipërisë e realizoi Aidon Shehu.
Zvicra gjeti golin në minutën e 27-të pas një gabimi në mbrojtje ku Liam Chipperfield i dha avantazhin helvetëve
Shqipëria i shkoi shumë pranë barazimit në minutën e 38-të me Elton Fikajn, por goditja e mbrojtësit u ndal nga traversa. Pjesa e parë u mbyll 1-0.
Pjesa e dytë nisi me dy ndryshime për Shqipërinë. Trajneri Bushi aktivizoi Rashicën dhe Përndrecën, ndërsa nga loja dolën Gudjufi dhe Osmani.
Kuqezinjtë dominuan lojën në pjesën e dytë dhe në minutën e 65-të barazuan rezultatin me Aidon Shehun, i cili realizoi një gol spektakolar me një goditje fantastike nga jashtë zone.
Zvicra mori sërish avantazhin në minutën e 81-të me Dircssi Ngonzo.
Djemtë kuqezi tentuan deri në fund për të barazuar dhe i shkuan shumë pranë në minutën e 90-të, por goditja e Përndrecës kaloi ngjitur me shtyllën.