Prokuroria e Tiranës ka dhënë tre masa sigurie, pasi ka konstatuar kryerjen e shitjeve fiktive në favor të “5D Konstruksion” për punët publike të tenderuara nga Bashkia e Tiranës.
Sipas njoftimit të prokurorisë, tre personat krijuan skemë mashtruese fiskale për përfitime, të cilat janë në shifrën e më shumë se 370 milionë lekësh.
Tre personat që janë nën masë sigurie janë: Ilir Allmeta-“Arrest në burg”, Ermir Gjoklaj-“Detyrim paraqitje” dhe Mirash Lula-“Detyrim paraqitje”.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dha tre masa sigurie për tre shtetas, Ilir Allmeta ‘Arrest në burg’, Ermir Gjoklaj, ‘Detyrim paraqitje’ dhe Mirash Lula, ‘Detyrim paraqitje’, të dyshuar për përfshirjen në krijimin e skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), ‘Fshehjen e të ardhurave’, si dhe ‘Falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve’, parashikuar nga nenet 144/a, 180 dhe 190 të Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.2578 të vitit 2025, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Seksionin e Krimit Ekonomik në Drejtorinvë e Policisë Tiranë, rezultoi se subjektet tregtare “Allmeta 02”, “TT” dhe “Valbona Alb”, kanë kryer shitje të dyshuara fiktive në favor të subjektit “5D Konstruksion”, me një vlerë totale prej 370,299,847 lekësh, duke gjeneruar një TVSH dhe Tatim Fitimi të përllogaritur në shumën prej 108,004,122 lekë.
Subjekti ‘5D Konstruksion’ është hetuar nga Prokuroria e Posaçme, duke dërguar në përfundim të hetimeve në gjykim shtetasit, G.C., E.M., T.M. dhe B.Ç. Ky subjekt dyshohet se ka ritur në mënyrë fiktive shpenzimet për punët publike të tenderuara nga Bashkia Tiranë, duke administruar dhe deklaruar faturat fiktive të lëshuara nga personat nën hetim, I.A. E.Gj. dhe M.L. me vlerën rreth 370,299,847 lekë.
Këto veprime janë realizuar përmes deklarimeve të pavërteta dhe përdorimit të faturave fiktive, me qëllim krijimin e një skemë mashtruese fiskale, që synonte përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen e bazës së tatueshme për Tatimin mbi Fitimin, duke dëmtuar interesat financiare të shtetit.
Nga hetimi rezultoi se vlera e plotë prej 370,299,847 lekësh, e krijuar nëpërmjet shitjeve të dyshuara fiktive, është përfshirë nga subjekti “5D Konstruksion” sh.p.k. në situacionet e punimeve të deklaruara në tenderat publikë, me qëllim rritjen artificiale të volumit dhe kostove të punimeve të kryera. Kjo vlerë është pasqyruar si shpenzim i justifikuar në dokumentacionin për zbatimin e kontratave publike, duke i mundësuar subjektit përfitues të arkëtojë nga fondet publike vlerën e plotë të këtij transaksioni fiktiv, në dëm të buxhetit të shtetit. Si rrjedhojë, veprimet e kryera jo vetëm që kanë krijuar avantazhe tatimore të padrejta, në TVSH dhe TF, por kanë rezultuar edhe në përvetësimin e pajustifikuar të fondeve publike, përmes paraqitjes së rreme të shpenzimeve në raportet financiare të tenderëve.
Në këtë kuadër, veprimet e koordinuara të këtyre subjekteve përbëjnë elementët përbërës të veprës penale të “Krijimit të skemave mashtruese lidhur me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, në bashkëpunim, në kuptim të nenit 144/a dhe nenit 25 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e plotë.
Hetimet vijojnë në drejtim të identifikimit të personave të tjerë të përfshirë, si dhe për dokumentimin e plotë të skemës mashtruese dhe pasojave financiare të saj.















