Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabic ka reaguar lidhur me deklaratat e Ramës, të bëra gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë.
Duke iu referuar deklaratës së Ramës për shkeljen e marrëveshjes së CEFTA-s, kryeministrja serbe tha se Rama ka tentuar që të shfrytëzojë këtë çështje për të fajësuar Serbinë, siç thotë ajo, ‘për të gjitha veprimet e paarsyeshme të Prishtinës’.
Mbështetjen e kryeministrit të Shqipërisë për vendosjen e taksës 100%, Brnabic e ka cilësuar si një vendim që përkon me mendësinë e politikës së shekullit 19-të.
“Prishtina po punon me politikën e shekullit 19-të. U bëj thirrje autoriteteve të Prishtinës që të shpjegojnë arsyet e vërteta të vendosjes së taksës mbi produktet serbe, sepse deri më tani kanë bërë më shumë justifikime”, tha kryeministrja serbe.
Edi Rama tha gjatë vizitës së tij në Kosovë se taksa e vendosur nuk është një veprim i duhur ekonomik, por një veprim shumë i nevojshëm politik, të cilin tha se do ta mbështesë deri në fund.