Meqë në fundin e shekullit XIX-të disa shkrimtarë të rrymës së fanta-shkencës lëvruan idenë e udhëtimit në kohë, që sipas tyre mund të ndodhte përmes një mjeti mekanik, mundësia për të lëvizur midis së kaluarës dhe së ardhmes u bë ëndrra – e paarritshme – e shumë njerëzve.
Nga ai moment e tutje, ka pasur shumë libra të shkruar dhe filma të realizuar mbi këtë temë, që të gjitha të përfshira në mënyrë rigoroze në zhanrin e trillimeve shkencore, që është një rrëfim që bazohet pak a shumë në hipoteza shkencore, për të kaluar më pas në një shpikje fantastike.
Pra një ëndërr apo jo?Duket se midis shumë sekreteve që ruhen ende sot nga shteti i Vatikanit ekziston edhe një pajisje e cila nëse do të ekzistonte vërtet, do të përfaqësonte realizimin e kësaj ëndrre. Jo tamam një makinë e udhëtimit në kohe.
Por në çdo rast diçka që i ngjan shumë asaj. Një“shikues i kohës”, falë të cilit dikush mund të shihte, tamam si në një program televiziv, ngjarje nga e kaluara, dhe madje disa skena të së ardhmes më të afërt. Sa keq që për këtë makinë të jashtëzakonshme është dëgjuar vetëm të flitet,dhe askush (në mesin e njerëzve të thjeshtë), nuk e ka parë ndonjëherë atë dhe aq më pak ta ketë përdorur.
Megjithatë, prifti francez Fransua Brune që vdiq në vitin 2019, pretendoi në një libër të botuar në vitin 2002 me titull “Kronovizor:Misteri i ri i Vatikanit), se kjo pajisje ekziston vërtet. Brune i referohet dëshmive okulare që në fillim të viteve 1960.
Sipas tij,shpikësi i saj ishte Atë Pelegrino Erneti, një murg benediktin që deri në atë moment nuk ia kishte zbuluar askujt atë sekret të jashtëzakonshëm. Në atë kohë ai vendosi t`ua tregojë 12 studiuesve më të famshëm në botë, midis të cilëve ishte fizikanti i madh italian Enriko Fermi dhe shkencëtari gjerman Vernher Von Braun, ish-ekspert i raketave në kohën e Gjermanisë naziste, dhe më pas protagonist i garës hapësinore mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik.
Kronovizor, i zhvilluar në vitet 1950, përshkruhet nga Erneti si një pajisje me disa antena të përbëra nga minerale misterioze, një tub katodik që lëshon rreze, dhe një seri butonash dhe levash për të zgjedhur vendin dhe kohën që duhet shfaqur, madje edhe një karakter specifik.
Sistemi është (do të ishte) shumë i thjeshtë, dhe bazohet në tezat e Teorisë së Relativitetit të Ajnshtajnit. Pajisja merr, dekodon dhe riprodhon ngjarjet e kaluara përmes gjurmëve vizive dhe të tingullit që lundrojnë në atmosferë, sipas parimit se në Univers asgjë nuk shkatërrohet, por gjithçka mbetet në formën e energjisë:
Erneti dhe Brune u takuan së bashku në fillim të viteve 1960 në Venecia, ku diskutuan në fillim mbi gjuhët e vdekura dhe interpretimet e mundshme të Biblës, deri në zbulimin e pabesueshëm të Ernetit.
Kleriku ishte një njeri shumë i kulturuar dhe mbi të gjitha i talentuar me një pamje të hapur të botës, ndoshta edhe për shkak të diplomës së tij në fizikë. Pra ai nuk është vizionar dhe as sharlatan. Ndër të tjera, ai është gjithashtu ekzorcist zyrtar i dioqezës së Venecias dhe mësues i muzikës para-polifonike në konservatorin “Benedetto Marcello”.
Ai bashkëpunoi me Atë Agostino Xhemeli, një mjek dhe frat françeskan që themeloi Universitetin Katolik, me të cilin kryen eksperimente për të regjistruar zërat e të vdekurve.Për këtë arsye Brune nuk e pati të vështirë t`i besonte Ernetin, kur pikërisht në një moment që ishin duke biseduar diskutuar mbi interpretimet e ndryshme të Biblës, ai ia zbuloi shpikjen e tij të mrekullueshme (të ndërtuar së bashku me shkencëtarë të tjerë), i aftë të çelë dritare për ngjarjet e kaluara.
“Dritare” që i kishin dhënë mundësi priftit të shihte Musolinin të mbante fjalimet e tij (për të vërtetuar nëse pajisja ishte e besueshme, pasi ato ishin ngjarje të dokumentuara), të vëzhgonin pushtimet e Napoleonit dhe më pas duke shkuar më pas në kohë, të dëgjonin fjalimet e Ciceronit.
Po ashtu prifti i tregon Brune shkatërrimin e Sodomës dhe Gomorës, dhe mbi të gjitha pasionin dhe vdekjen e Jezu Krishtit:“Unë pashë gjithçka. Agonia në kopsht, tradhtia e Judës, gjyqi … kalvari ”.Por teologu Brune nuk është i vetmi, të cilit Erneti ia beson sekretin e tij. Në vitin 1972, kleriku i dha një intervistë të përjavshmes “La Domenica del Corriere”, ku ai foli për “makinerinë e tij të kohës” (termi Kronovizor u krijua vite më vonë nga Luixhi Borelo).
Sidoqoftë, ajo shpikje e mahnitshme nuk i tregohet sot askujt, dhe askush nuk është në gjendje të dëshmojë vërtetësinë e pretendimeve të Erneti. Shkencëtarët e përmendur, Fermi dhe Atë Xhemeli,vdiqën në vitin 1972, ndërsa Von Braun ndodhet përtej oqeanit, i super kontrolluar nga amerikanët duke pasur parasysh sekretet që dinte.
Pas asaj interviste, Ernet zhytet në një heshtjeje të padepërtueshme:Ai nuk dëshiron më të flasë për shpikjen e tij, ndoshta për shkak të debateve dhe polemikave që ajo ka shkaktuar. Një imazh i fytyrës së Krishtit, të cilin kleriku e mori nga Kronovizori, duket në fakt si fotoja e një Krishti në kryq të ruajtur në një Shenjtërore në Kolevalenxa, në Umbria.
Por në prag të vdekjes së tij në vitin 1994, Erneti pranoi se fotografia e Krishtit ishte e rreme, pretendoi sërish vërtetësinë e shpikjes së tij, e cila përfundoi në bodrumet e Selisë së Shenjtë.
Por ka edhe versione të tjera të historisë:Para se të vdiste, Atë Erneti rrëfeu se kishte trilluar gjithçka…Edhe pse nuk e kishte parë kurrë pajisjen, Atë Brune besoi deri në fund në ekzistencën e saj, ndërsa për shumicën duket qartë se ajo makinë kohe është vërtet një shpikje e shkëlqyer, por e imagjinatës së Ernetit, në thelb një mashtrim. Ndërkohë në vitin 1988, Vatikani u kujdes që të nxirrte një dekret ku paralajmëronte se “kushdo që përdor një instrument me këto karakteristika do të shkishërohet”.
burimi: https://www.vanillamagazine.it/il-cronovisore-leggendaria-macchina-del-tempo-coperta-dal-segreto-vaticano
Përshtatur për Tirana Today