Mbi tapetin e kuq po kalon secili pjesëmarrës.
E krejt këta po i pret, e po u flet për dore kandidati pejan për deputet nga radhët e AAK-së, Gazmend Syla, dikur njëri nga ushtarët më të rinj të UCK-së.
Disa nga të ardhurit hyjnë brenda në sallë, e shumë prej tyre po e presin të vijë këtu vëllau i kryetarit të Aleancës me ekipin e tij.
Pritjen në të ftohtë e harruan kur u erdhi Daut haradinaj.
Brohorimat për të nuk munguan.
Mysafiri pati një kritikë simpatike për nikoqirin e këtij tubimi, kur pa mbështetjen e këtushme.
Nga ky vend i Pejës, Haradinaj i pati disa fjalë për shefin e qeverisë aktuale në Kosovë, të cilën e quajti dështake, në lidhje me ofendimet që sipas tij, Albin Kurti ua bëri sipërmarrësve të kësaj ane, Shkelqim e Blerim Devolli.
Dy këta vëllezër, sipas ish komandanti i UCK-së, kanë bërë më shumë për këtë qytet dhe krejt shtetin sesa që ka punuar kryeministri Albin Kurti dhe kabineti i tij për katër vjet qeverisje.
Haradinaj e kritikoi Kurtin dhe qeverinë për mos ndërtim të rrugëve nëpër rajonin e Dukagjinit, por nuk u ndal as me akuza për sic tha, dëmtimin e raporteve ndërmjet shqiptarëve nëpër shtetet ku ata jetojnë.
Haradinaj nuk harroi që në këtë tubim ta lëvdojë të vëllanë, Ramushin, me të cilin tha se nuk mund të matet Albin Kurti e as kandidatët e partive tjera për kryeministër.
Sipas tij, me Ramush Haradinajn në krye të qeverisë Kosova do ta bëjë realitet një projekt e proces të madh.
Adresimit të Haradinajt i parapriu prezantimi i kandidatëve për deputetë, të cilët, dukej se surprizoheshin kur shihnin të ardhurit në këtë vend. Njëri nga ta, u mahnit më tepër se tjerët.
Kur tubimi përfundoi, pjesëmarrësit që dolën nga këtu, morën me vete premtime për reforma në arsim, shëndetësi, e më shumë investime në krejt fushat e tjera, nëse koalicioni AAK-Nisma merr qeverinë, pas 9 shkurtit.