Një krim makabër ka tronditur një tjetër familje shqiptare në vend. Ndryshe nga sa kemi dëgjuar, kur burri masakron pa më të voglën mëshirë gruan e tij, këtë herë ka ndodhur krejt e kundërta.
Ka qënë gruaja e cila ka marrë armën dhe ka shtënë mbi bashkëshortin, duke e lënë të vdekur në vend. Kjo ngjarje e rëndë, e cila pason atë të një jave më parë në Tiranë, mësohet se është shënuar në tregun e Milotit, ku gruaja 35-vjeçare i ka marrë jetën burrit të saj 42-vjeçar.
Krimi në familje ka ndodhur rreth orës 07:10 të mëngjesit të sotëm, ndërsa mbeten ende mister arsyet. Të njëjtat burime zyrtare thonë më tej se Violeta Donaj ka vrarë bashkëshortin Kujtim Donaj, me pistoletë.
Pas krimit, ajo ka tentuar që të largohej nga vendi i ngjarjes, por tentativa ka qënë e dështuar, pasi ajo është kapur në kohë reale nga efektivët.
Policia ka rrethuar vendin e ngjarjes, sikundër dhe ka sekuestruar armën tip pistoletë, në cilësinë e provës materiale.