Pas homazheve për gjyqtarin Astrit Kalaja, i vrarë në mënyrë tragjike në sallën e Gjykatës së Apelit në Tiranë, kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, e cilësoi këtë ngjarje si një “vrasje të të gjithë sistemit të drejtësisë”.
Në një deklaratë për mediat, Haxhia akuzoi institucionet për neglizhencë dhe indiferencë, veçanërisht pas reagimeve që pasuan ngjarjen. “Kjo nuk është thjesht vrasje e një gjyqtari. Është një atentat ndaj gjithë sistemit të drejtësisë,” u shpreh ai, duke kërkuar reagim serioz nga të gjitha nivelet e shtetit.
Haxhia shprehu shqetësim për rritjen e tensionit social dhe urrejtjes së akumuluar, duke e cilësuar si “një fenomen që është vështirë për t’u çrrënjosur”. Ai shtoi se kjo urrejtje po reflektohet drejtpërdrejt në sallat e gjyqeve dhe se gjyqtarët dhe avokatët janë kthyer në shënjestra të kësaj klime.
Kreu i Dhomës së Avokatisë tregoi për biseda shqetësuese me gjyqtarë, të cilët, sipas tij, ndihen të pambrojtur. “Njëra prej tyre më tha: ‘Na kanë nxjerrë në pritë.’ Kjo është shumë e rëndë,” tha Haxhia, duke theksuar se institucionet nuk po ofrojnë garanci reale për sigurinë e njerëzve që mbajnë drejtësinë në këmbë.
Duke folur edhe për rolin e avokatëve në këtë situatë, Haxhia theksoi se edhe brenda komunitetit të juristëve duhet të bëhet një analizë e thelluar. “Ne, si avokatë, kemi përgjegjësinë të ndihmojmë në uljen e tensioneve dhe të qartësojmë palët për realitetin e vendimeve gjyqësore. Nuk mund të lejojmë që çdo pakënaqësi të kthehet në akt dhune.”