Në Kuvendin e Kosovës të dielën e 26 tetorit në orën 10:00 është caktuar që të mbahet seanca për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës.
Seanca e jashtëzakonshme ka vetëm një pikë të rendit të ditës, atë të zgjedhjes së ekzekutivit të ri kosovar.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit, ka marrë mandatin nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Megjithatë, ende është e paqartë nëse ai i ka 61 votat e nevojshme për të formuar ekzekutivin e ri.
Më 21 tetor, Kurti la të kuptohet se LVV-ja mund të dështojë në formimin e ekzuekutivit, duke u shprehur se “siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”.
“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, tha Kurti.
Osmani e mandatoi Kurtin për formimin e Qeverisë më 11 tetor dhe ai ka afat deri më 26 tetor që të paraqesë para Kuvendit përbërjen e re qeveritare dhe të kërkojë mbështetje për të.















