Shërbimet e Policisë Kufitare të Portit të Durrësit kanë vënë në pranga një 48-vjeçar, i cili kishte fshehur në kamionin që drejtonte, 240 shishe me verë, që dyshohet me qëllim kontrabandimi.
Policia njofton se ai u kap në hyrje të Shqipërisë.
“Si rezultat i kontrolleve të imtësishme të kryera ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Port, Durrës arrestuan në hyrje të Shqipërisë, shtetasin A. Gj., 48 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua se kishte fshehur në kamionin që drejtonte, 240 shishe me verë, dyshohet me qëllim kontrabandimin”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Po kështu ka nisur hetimi në gjendje të lirë për një tjetër shtetas, i cili kishte fshehur në furgonin që drejtonte, 15 celularë dhe sasi të konsiderueshme produkti ushqimor, dyshohet me qëllim kontrabandimin.
“Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Port, Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Y. S., banues në Lushnjë, pasi në dalje të Shqipërisë, u konstatua se kishte fshehur në furgonin që drejtonte, 15 celularë dhe sasi të konsiderueshme produkti ushqimor, dyshohet me qëllim kontrabandimin”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.















