Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka publikuar një paralajmërim global të rëndësishëm për të gjithë shtetasit amerikanë, në lidhje me situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme.
Në njoftim thuhet se konflikti në zhvillim midis Izraelit dhe Iranit ka shkaktuar ndërprerje të udhëtimeve dhe mbyllje të herëpashershme të hapësirës ajrore në rajon. Për më tepër, ekziston rreziku i protestave kundër qytetarëve dhe interesave të SHBA-së në vende të ndryshme të botës.
“Paralajmërim global: Konflikti midis Izraelit dhe Iranit ka shkaktuar ndërprerje të udhëtimeve dhe mbyllje periodike të hapësirës ajrore në të gjithë Lindjen e Mesme. Ekziston mundësia për protesta kundër qytetarëve dhe interesave të Shteteve të Bashkuara jashtë vendit,” thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA në Tiranë.
Departamenti Amerikan i Shtetit u bën thirrje të gjithë shtetasve amerikanë që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimeve ndërkombëtare dhe të informohen para çdo lëvizjeje.