Komisionit Parlamentar “Për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale”, i drejtuar nga Fatmir Xhafaj ka bërë një kërkesë për një vizitë me qëllim monitorimin në Prokurorinë e Posaçme, lidhur me zbatimin e masave sa i përket masave në luftën kundër pastrimit të parave.
Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar përgjigjen e SPAK lidhur me këtë kërkesë, ku thuhet shprehimisht se kërkesa e komisionin bien në kundërshtim me pavarësinë e këtij institucioni.
“Çdo praktikë për të kryer vizita të tilla monitoruese do të binte ndesh me pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Posaçme. Kjo pavarësi nuk është vetëm një kërkesë formale ligjore, por edhe një kusht themelor për të siguruar hetime të pavarura, të paanshme dhe efikase, në mbrojtje të interesit publik dhe të sundimit të ligjit.
Në vijim të dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional me Komisionin, Prokuroria e Posaçme mbetet e angazhuar për të kontribuar në përcjelljen e çdo informacioni të nevojshëm në funksion të përmbushjes së detyrimeve të saj kushtetuese dhe ligjore.
Në përfundim, Prokuroria e Posaçme shpreh mosdakortësinë e saj për realizimin e vizitës monitoruese të caktuar prej jush në datën 06.02.2026, vizitë të cilën e konsideron në kapërcim të ligjit dhe cënim të pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme”, thuhet në përgjigjen e SPAK.















