Ekipi i mjekëve në repartin e neurokirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë ka realizuar me sukses një ndërhyrje të suksesshme te një paciente e moshës 50-vjeçare e diagnostikuar me sëmundjen e Parkinsonit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka bërë të ditur sot përmes rrjeteve sociale lajmin, duke u shprehur se “në QSUNT u krye një ndërhyrje e suksesshme, DBS (stimulimi i thellë i trurit) për sëmundjen e Parkinsonit, tek një paciente 50 vjeçare”.
“Kjo ndërhyrje specifike dhe tejet e domosdoshme për trajtimin e Parkinsonit, mbulohet tërësisht nga buxheti i shtetit, duke sjellë zero kosto për pacientin”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu u ka shprehur mirënjohjen ekipit të mjekëve neurokirurgë që realizuan këtë ndërhyrje të suksesshme: “Mirënjohje për ekipin mjekësor: Prof. Dr. Artur Xhumari, Prof. Dr. Ridvan Alimehmeti, Dr. Gramoz Brace, anestezist-reanimator Dr. Mithat Demneri, neurologet Dr. Shk. Florian Dashi, Prof. Ilirjana Zekja, Specializantët: Dr. Aurora, Dr. Kejsi, Dr. Sidorela, si dhe infermieret: Manjola Pjetri, Ganimete Arapi dhe Anxhela Gjonaj.
Ndërhyrja DBS (Deep Brain Stimulation), ose Stimulimi i Thellë i Trurit, është një procedurë neurokirurgjikale që konsiston në implantimin e elektrodave në zona specifike të trurit për të rregulluar aktivitetin e tij. Këto elektroda lidhen me një pajisje stimulimi (e ngjashme me një pacemaker), e cila vendoset nën lëkurë, zakonisht në kraharor, dhe dërgon impulse elektrike për të moduluar sinjalet nervore.