Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) është mbledhur këtë të hënë, më 6 tetor 2025, për të mbajtur një qëndrim publik pas vrasjessë gjyqtarit Astrit Kalaja, në sallën e gjyqit dhe gjatë ushtrimit të detyrës së tij në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Në deklaratën e miratuar, KLGJ e dënon me forcë këtë akt kriminal të pashembullt, duke e cilësuar atë si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve të drejtësisë, shtetit të së drejtës dhe besimit të publikut te gjykatat.
“Ky akt i rëndë cënon themelet e shtetit të së drejtës, sigurinë e institucioneve të drejtësisë dhe besimin e publikut te gjykatat,” thuhet në qëndrimin zyrtar.
Këshilli nënvizon se integriteti fizik dhe siguria e gjyqtarëve janë thelbësore për funksionimin e drejtësisë dhe për garantimin e të drejtave të qytetarëve.
Gjithashtu, dënohet gjuha e urrejtjes dhe denigrimi i figurës së magjistratit, që sipas KLGJ-së, kontribuojnë në krijimin e një klime të rrezikshme ndaj sistemit gjyqësor.
“Çdo akt që cenon integritetin e gjykatave, dëmton gjithçka që ndërtojmë me punë dhe përkushtim,” theksohet në deklaratë.
Këshilli shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe kolegët e gjyqtarit Kalaja, duke falënderuar të gjitha institucionet dhe qytetarët që kanë treguar solidaritet dhe respekt për gjyqësorin në këtë moment të vështirë.
Reagimi i KLGJ:
Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh sot me datë 06.10.2025 për të mbajtur qëndrimin publik vijues:
Me dhimbje të thellë Këshilli i Lartë Gjyqësor mësoi për ngjarjen kriminale të vrasjes, në sallën e gjyqit, dhe në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja, Gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Ky akt i rëndë cënon themelet e shtetit të së drejtës, sigurinë e institucioneve të drejtësisë dhe besimin e publikut te gjykatat.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon me forcë aktin kriminal të vrasjes së kolegut tonë, si edhe thekson se çdo akt që sulmon, apo cenon integritetin e gjykatave, dëmton gjithçka që ndërtojmë me punë dhe përkushtim.
Këshilli thekson se respektimi i pavarësisë dhe sigurisë së magjistratëve është gur themeli i shtetit të së drejtës, përmes të cilit garantohet mbrojtja e të drejtave të gjyqtarëve dhe interesi publik.
Cënimi i integritetit fizik të gjyqtarëve përbën sulm të drejtpërdrejtë, jo vetëm ndaj magjistratëve por edhe ndaj shtetit të së drejtës, institucioneve demokratike, si dhe interesit dhe besimit të publikut.
Dënojmë me forcë një akt të tillë kriminal, si dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes, denigrimin e figurës së magjistratit dhe mungesën e theksuar të respektit ndaj veprimtarisë gjyqësore.
Në këto momente dhimbjeje kolektive ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjarët, të afërmit e viktimës dhe kolegët.
Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh mirënjohjen e thellë për solidaritetin e treguar në këtë ditë të vështirë, nga të gjitha institucionet, subjektet dhe individët që shfaqën publikisht respektin e tyre ndaj gjyqësorit.