Në Apelin e GJKKO-së, sot më 18 dhjetor 2025 në orën 11:00, është planifikuar të zhvillohet seanca gjyqësore lidhur me zv.kryeministren Belinda Balluku dhe disa prej vartësve të saj. Balluku i është drejtuar Apelit me kërkesën për shfuqizimin e dy masave të sigurisë të vendosura ndaj saj, konkretisht pezullimin nga ushtrimi i detyrës dhe ndalimin për të udhëtuar jashtë territorit të vendit.
Kjo seancë mbahet në një moment delikat institucional, pasi paralelisht SPAK ka paraqitur në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut. Kërkesa vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka rikthyer përkohësisht zv.kryeministren në detyrë, deri në shqyrtimin e ankimit të kryeministrit Edi Rama për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes Gjykatës së Posaçme dhe Këshillit të Ministrave.
Belinda Balluku është marrë e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, në lidhje me procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, një projekt me fond limit rreth 190 milionë euro. Ndërkohë, SPAK ka bërë të ditur se hetimet ndaj saj janë zgjeruar, duke përfshirë jo vetëm lotin 4, por 7 lotet e projektit të Unazës së Madhe.
Masën e sigurisë e ka kundërshtuar në Apel edhe drejtori i KESH, Erald Elezi, ndaj të cilit GJKKO ka vendosur arrest në shtëpi. Elezi akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë, ndërsa masa është caktuar në lidhje me dy procedura prokurimi me vlerë totale 210 milionë euro, atë të Tunelit të Llogarasë dhe lotit 4 të Unazës së Madhe. Në kohën e zhvillimit të tenderit të Llogarasë, ai mbante detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH, ndërsa për Unazën e Madhe ka qenë anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Gjithashtu, lehtësimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” e ka kërkuar edhe drejtori i ARRSH, Gentian Gjyli. Sipas SPAK, ai dyshohet për veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, ndërsa masa ndaj tij lidhet vetëm me procedurën e prokurimit për Tunelin e Llogarasë.
Hetimet për tenderët infrastrukturore janë pjesë e një sërë procedimesh të nisura nga SPAK për dyshime mbi shkeljen e ligjit në prokurimet publike. Tuneli i Llogarasë dhe projekti i Unazës së Madhe konsiderohen ndër investimet më të kushtueshme të viteve të fundit në vend. Vendimet e gjykatave dhe përplasjet institucionale mes qeverisë dhe organeve të drejtësisë kanë sjellë debat të fortë politik dhe juridik rreth kompetencave dhe masave të sigurisë ndaj zyrtarëve të lartë.













