Tirana Today
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing
No Result
View All Result
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing
No Result
View All Result
Tirana Today
No Result
View All Result
Home Të Gjitha

Kastriot Dervishi: Auron Tare mohon krimet e komunizmit

8 vjet ago
in Të Gjitha
Kastriot Dervishi: Auron Tare mohon krimet e komunizmit

Nga Kastriot Dervishi

“Organet e Sigurimit=organe kriminale”-ka shkruar Vaskë Koleci

Lexova jo shumë i çuditur një koment të z.Auron Tare si “replikë” të një postimi tim për strukturën e parë të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, pararendësja e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit. As më pak e as më shumë, z.Tare shfaqi emocionin, dashurinë e simpatinë e tij të thellë për shtetin e pushtetin komunist, si dhe në pozita vullnetare bëri avokatinë e krimeve të këtij regjimi. Nuk e di nëse ky qëndrim lidhet me “kushtrimin e të parëve”, me nostalgji apo gjëra të tjera të këtij lloji apo është bindje e krijuar prej kohësh nga z.Tare. Sido që të jetë e vërteta, z.Tare i tha publikut që komunizmi nuk ka pasur struktura kriminale dhe sa mirë do ishim në komunizëm sepse paska pasur idealistë, shërbim sekret që mendonte për vendin, e të tjera përcaktime që i kemi lexuar në revistën “Në shërbim të popullit” prej vitesh si dhe në mjetet e tjera agjitative të asaj kohe. Në këtë plan, mendimet e mia përplasen me ato të z.Tare në lidhje me atë që ka ndodhur në Shqipëri në vitet 1943-1944 dhe 1944-1990. Jo më kot, personaliteti botëror, Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 25 prill 1993 deklaroi se populli shqiptar “kaloi një tragjedi vërtet tronditëse nën shtypjen komuniste”, duke vënë në dukje mohimin e të drejtave të tij që merrte formën e një “shtypjeje të tmerrshme”. Jo më kot, Papa deklaronte: “Ajo që ka ngjarë në Shqipëri, nuk është parë kurrë në historinë e njerëzimit”. Pikërisht të paparën komuniste të Shqipërisë, gjenocidin komunist, kanë objekt si studimet ashtu edhe publikimet e mia. Nëse nuk ia vlen fare të trajtoj shqetësimin estetik të z.Tare në lidhje me të pasmet e “komandantit legjendar” dhënë nëpërmjet fotove që ai vetë ka ruajtur në Arkivin e PPSH-së, pavarësisht se në asnjë rast nuk jam shprehur drejtpërdrejt për atë që thotë z.Tare, por te realiteti turistik në të cilin gjendet diktatori në kohë luftës. Çështja e “përgojimit” të të pasmeve ka dalë në një proces të madh të viteve 1978-1980 dhe është deklaruar nga njerëz që e njihnin jetën e Enver Hoxhës. Ndërhyrja e z.Tare për të shpëtuar “nderin” e “komandantit legjendar” edhe nëpërmjet “rekomandimeve” duket e pavend dhe e pakuptimtë. 
Në këtë koment, po përqendrohem në përcaktimin tim për Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit si “strukturë kriminale”. Në të vërtetë duhej të kisha shtuar edhe fjalën “terroriste”, për t’i dhënë kuptimin e duhur fjalisë. Postimi im i përmbahet përmasës që ka rrjeti social. Më shumë akoma, të thelluar, çdo gjë e gjeni te librat e mi, sepse analiza të gjata në rrjetin social nuk mund të bëhen. Kësisoj, qëllimi im kryesor në postim ishte njohja emërore e strukturës së Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, institucion që ka funksionuar nga dhjetori 1944 deri në prill 1946. Qysh në fillim z.Tare ngatërron Drejtorinë me Divizionin e Mbrojtjes së Popullit. Janë struktura të ndryshme, njëra shërbim sekret e tjera njësi operacionale, por në thelb janë kriminale që të dyja, vijuese të terrorizmittë Partisë Komuniste Shqiptare të mbjellë nga emisarët jugosllavë gjatë kohës së luftës e të vijuar me konsekuencë pas saj. Kujtoj se Sejfulla Malëshova në plenumin e 2-të të Beratit (23-27 nëntor 1944), deklaroi se “sektarizmi degjeneroi në terror dhe terrori u bë shumë herë krim”, duke vënë në dukje se “terrori zë vend të madh në punën tonë politike”. Nëse DMP sipas dëshirës së z.Tare nuk ka qenë strukturë kriminale, atëherë vetiu kjo do të thotë se nuk ka pasur kurrë diktaturë komuniste në Shqipëri.Asnjë pushtues nuk ka regjistruar të dhëna aq kriminale që kanë shënuar komunistët me qeverisjen e tyre të mbrapshtë kundër popullit shqiptar. Kanë thyer rekorde të tmerrshme krimesh. Sapo morën pushtetin, në dhjetor 1944 e ndanë Shqipërinë në tri zona pushtimi me qendra në Tiranë, Berat e Shkodër, duke i quajtur krahina ushtarake. Brenda tyre seksionet e mbrojtjes së popullit (në varësi të DMP-së), korparmatat e ushtrisë, divizionet e mbrojtjes së popullit dhe qarkoret e PKSH-së. Këto katër organe drejtuan gjenocidin ndaj elementit kundërshtar në këto forma:
-Vrasje
-Burgosje
-Internime
-Djegie shtëpiash
-Vjedhje pasurie
-Vjedhje florinjsh
-Largim nga banesa
-Ndryshim të strukturës sociale të qyteteve e fshatrave
Të gjitha proceset politike kaluan nëpërmjet Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit dhe organeve të varësisë së saj, duke përdorur vrasjet dhe torturat nga më të rëndat. Në vend erdhi në pushtet një klasë inferiore (e përbërë nga bujq, blegtorë, zanatçinj, etj), e pashkolluar që jo vetëm largoi nga pushteti gjithë elitën intelektuale të Shqipërisë, por e burgosi dhe masakroi atë. Rrallë gjenden shembuj në histori të një përmbysjeje kaq të madhe sociale në të cilën elementi i pashkollë e kriminal të jetë në pushtet dhe ai intelektual të jetë i gjithë në burg, në varre apo jashtë vendit. Kjo masakër e paparë vazhdoi e egër ndaj inteligjencies intensivisht deri në vitin 1951. Pas këtij viti, ndaj të paktëve që ngelën, vijoi me forma të tjera. 
Vetëm në Qarkun e Shkodrës, sipas të dhënave të vetë regjimit, këto organe kriminale (në radhë të parë Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit), listuan menjëherë si armiq 14.700 persona. Vetëm nga “operacioni bllokues” në Shkodër midis datave 29 janar deri më 2 shkurt 1945, u krijua një klimë terrori, duke paraburgosur nëpunës, tregtarë, pronarë, punëtorë, studentë, por edhe bujq, etj. Vetëm në Shkodër, deri në shkurt 1945 ishin arrestuar 3.070 persona. Një pjesë e madhe e tyre u liruan brenda vitit 1945, jo për humanizëm, porse regjimi nuk mund të menaxhonte një shumë kaq të madhe të burgosurish. Vetë shefi i krahinës së tretë të Mbrojtjes së Popullit, Zoi Themeli pranonte më 24.3.1945 se akuzat ndaj të arrestuarve ishin në shumicë “krejt të pabaza”, pasi me të tilla mund të akuzohej “krejt populli”. Ai rekomandonte që pushkatimet të bëheshin në grupe prej 18 – 19 vetash, në mënyrë të tregohej se ata (komunistët) nuk kishin frikë prej popullit. 
Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit nga dhjetori 1944 e deri në shkurt 1945 arrestoi 4.500 kundërshtarë dhe 516 të tjerë si “strehues e furnizues kriminelësh”. Nga marsi 1945 e deri në shkurt 1946 kjo drejtori arrestoi edhe 601 persona të tjerë.
Me hapjen e kampeve të para tela me gjemba, kjo drejtori internoi 1.275 persona në kampin e Krujës (shumica fëmijë) dhe 900 në Berat (po ashtu shumica fëmijë).
Masakra të spikatura mbeten ato për të nënshtruar popullsinë antikomuniste si në zonën e Malësisë në Shkodër, etj.
Por nuk duhet harruar po ashtu roli antikombëtar i DMP-së kundër misioneve të huaja në Tiranë si ato amerikane dhe britanike, në funksion të rolit mercenar ndaj shërbimeve sekrete jugosllave.
Krimet e DMP-së i ka pranuar edhe vetë Partia Komuniste. Për të ardhur keq është që z.Tare nuk është ngritur as në frymën e plenumit të 11-të të datës 24.9.1948, kohë kur vetë Partia Komuniste dënoi veprimtarinë më të madhe të organeve të Sigurimit të Shtetit deri këtë kohë. Nëse unë do gaboja në përcaktimin se organet e Sigurimit të Shtetit janë strukturë kriminale, të njëjtën gjë ka thënë edhe një prej themeluesve të kësaj arme, Vaskë Koleci në letrën drejtuar Enver Hoxhës më 26.11.1948 thotë se “organet e Sigurimit ishin organe kriminale”, duke theksuar qëndrimin ndaj të arrestuarve, në kontrolle, operacione dhe metodat e përdorura, vrasje ilegale. Të arrestuarit në përgjithësi ishin trajtuar keq, kundër tyre ishin përdorur torturat si rrahja me dru, kamxhik, litar të lagur, telefoni, jeleku, lënia pa bukë, pa ujë, pa gjumë, përdorimi i pincave, etj.
Koleci thotë se ndërtimi institucional i DMP-së filloi në janar 1945 me ardhjen e nënkolonelit jugosllav Miat. Ndërlidhja bëhej me anën e Delo Balilit i cili qëndronte në Beograd, e më pas nëpërmjet Nesti Kerenxhit. 
Një tjetër drejtuesi i lartë i këtyre organeve, Vangjo Mitrojorgji tregon torturat ndaj të ndaluarve, brenda “vijës së punës”, duke pohuar tragjikisht se “i arrestuari ose vdiste ose tregonte”, sepse vepronte pandërprerë druri dhe rryma elektrike. “Ishte krijuar një psikozë e tillë që të bëhej garë kush të rrihte më shumë dhe kush përdorte metoda të reja të torturimit”-shkruan Mitrojorgji. 
Në një raport të 27.12. 1948 mbi gabimet dhe ndreqjen e tyre, Mihallaq Ziçishti shkruante se puna e Sigurimit deri atë çast ishte në tre elementë: gjurmimin e jashtëm, arrestimet dhe hetimet.
Në komentet e tjera z.Tare shkruan se “arma e kundërzbulimit” paska kontribuar në ndalimin e destabilitetit të Shqipërisë dhe se vetëm në vitet 70-80 qenka kthyer në një armë represive. Ndoshta Auroni ka përshtypjen se është bërë i keq Sigurimi në vitin 1985 e për rrjedhojë edhe në vitin 1986, por kjo nuk është as çështje sigurimi garnizoni e as çështje revistash, por më gjerë se kaq. 
Në fakt destabilitet më të madh se ndërtimi i eksperimental i komunizmit dhe mbajtja e një bande vrasësish për 46 vjet në pushtet nuk ka. Nëse komunizmi do kishte rënë p.sh. në vitin 1950, do të ishte si viti 1991 dhe vendi do ecte shumë përpara.
Unë nuk mendoj se në Shqipëri pati ndonjë “brez idealistësh” që ëndërruan një Shqipëri ndryshe, etj, por se ishin një grup shkatërrimtarësh që bënë hi shtetin shqiptar për të ndërtuar eksperimentet sovjetike.
Unë gjërat i kam thënë hapur. Sigurisht e kam për nder që jam proamerikan, properëndimor dhe antikomunist. Kam bindjen se Shqipëria është një tokë e djegur nga krimi komunist dhe qelbi që ai ka lënë në vend duhet pastruar sa më parë. Simbolet komuniste me yje të kuq, data komuniste, emra nëpër shkolla, rrugë, etj, nuk janë gjë tjetër veçse një pisllëk komunist, rusofili e maskuar. 
Edhe në rastet kur nga zori apo një lloj sporti për t’u dukur para europianëve, krimi komunist paraqitet gjithnjë pa emra. Sot vihen re përpjekje që duan ta shikojnë periudhën komuniste si kuriozitet kulturor nëpërmjet përmasës apo formës së ndonjë bunkeri, mbetjes së ndonjë helmete, etj. Nderimin ndaj asaj kohe duan ta çojnë deri te ekspozimi si martirë i klerikëve në bulevard, por pa hequr dorë nga respektimi i persekutorëve.

Bashkëlidhur pjesë e letrës së bashkëthemeluesit të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, Vaskë Koleci drejtuar Enver Hoxhës më 26.11.1948, në të cilën ai pranon që organet e sigurimit, ishin organe kriminale.

 *Ish-drejtor i Arkivave në Ministrinë e Brendshme 
Tags: Auron TareKastriot Dervishikomunizmimohonstrukturat kriminale

TË LIDHURA

Pjesëmarrja në votime deri në orën 10:00 arrin mbi 13%
Të Gjitha

Pjesëmarrja në votime deri në orën 10:00 arrin mbi 13%

11:38 | 11/05/2025
Parashikimi i motit për sot, 30 prill 2025
Moti

Parashikimi i motit për sot, 30 prill 2025

08:14 | 30/04/2025
Përsëritet historia, “Final Four” rikthen përballjet e Kupës
Sport

Përsëritet historia, “Final Four” rikthen përballjet e Kupës

13:33 | 29/04/2025
Next Post
Mbyllën sytë për ndërtimin pa leje, ja si përfundojnë inspektorët e Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake

Mbyllën sytë për ndërtimin pa leje, ja si përfundojnë inspektorët e Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake

Ikën trajneri grek i Kombëtares së basketbollit, Kostandinidhis: Më braktisën të gjithë

Ikën trajneri grek i Kombëtares së basketbollit, Kostandinidhis: Më braktisën të gjithë

Njeriu më i vjetër në botë: Vdekja ka harruar të më marrë

Njeriu më i vjetër në botë: Vdekja ka harruar të më marrë

JU REKOMANDOJMË

Liderë e BE zbarkuan sot në Tiranë, mungonte Mitsotakis, zbulohet arsyeja

Liderë e BE zbarkuan sot në Tiranë, mungonte Mitsotakis, zbulohet arsyeja

22:24 | 16/05/2025
Hati thyen heshtjen më në fund: Ja pse u ndava nga Jashari

Hati thyen heshtjen më në fund: Ja pse u ndava nga Jashari

22:34 | 14/05/2025
Liderët e BE-së nuk presin fundin e samitit në Tiranë, çfarë fshihet pas largimit?

Liderët e BE-së nuk presin fundin e samitit në Tiranë, çfarë fshihet pas largimit?

17:09 | 16/05/2025
Policia zgjohet herët, “rrethohen” Tirana, Durrësi, Fieri dhe Vlora. Ja për çfarë bëhet fjalë

Policia zgjohet herët, “rrethohen” Tirana, Durrësi, Fieri dhe Vlora. Ja për çfarë bëhet fjalë

08:28 | 21/05/2025




TË FUNDIT

Ish mjeku i Shtëpisë së Bardhë shokon me deklaratën për Bidenin: Ja sa muaj jetë ka
Bota

Ish mjeku i Shtëpisë së Bardhë shokon me deklaratën për Bidenin: Ja sa muaj jetë ka

by mirseda
22:42 | 21/05/2025
0

Dr. Ronny Jackson, ish-mjeku i Shtëpisë së Bardhë tha në një intervistë ekskluzive për Washington Free Beacon...

Izraeli shton sulmet në Gaza mes krizës humanitare

Izraeli shton sulmet në Gaza mes krizës humanitare

22:40 | 21/05/2025
Bashkëpunëtori i parë i drejtësisë shqiptare zbërthen kontrabandën në Portin e Durrësit

Bashkëpunëtori i parë i drejtësisë shqiptare zbërthen kontrabandën në Portin e Durrësit

22:36 | 21/05/2025
Gjesti dhe Egli janë bashkë? Ky detaj ndez dyshimet

Gjesti dhe Egli janë bashkë? Ky detaj ndez dyshimet

22:33 | 21/05/2025
Ish-banorja e Big Brother pa doreza: Limi iu ngjit Albës

Ish-banorja e Big Brother pa doreza: Limi iu ngjit Albës

22:18 | 21/05/2025

Tirana Today


© 2024 TiranaToday Dev By: Techzero1.com


© TIrana Today. All rights reserved.

Kontakt

EMAIL : [email protected]

Cel: +355694040005

Follow Us

Tirana Today

© TIrana Today. All rights reserved.

EMAIL : [email protected]

Cel: +355694040005

© 2022 TiranaToday Dev By: wearedope.com

Follow Us

No Result
View All Result
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing

© 2024TiranaToday Dev by : Techzero1.com