Ndërpriten punimet për riparimin e aksit Vora-Ura e Dajlanit, një ditë pas kaosit me trafikun. ARRSH në bashkëpunim me Policinë Rrugore pritet të vendosin nëse ndërhyrja do të bëhet gjatë natës ose me fasha orare.
TIRANË- Punimet për aksin Vorë-Ura e Dajlanit janë ndërprerë pas kaosit që u krijua ditën e djeshme me trafikun, ku mjetet mbetën të bllokuar dhe në radhë kilometrike për orë të tëra. Burime bëjnë me dije se ARRSH ka zhvilluar një takim me Policinë Rrugore me qëllim që të gjejnë një tjetër mënyrë për të kryer punimet në këtë aks, për shkak se punimet krijuan bllokim të qarkullimit.
Kontrata e punimeve për këtë aks është 1 muaj, por parashikimet janë që të përfundojë brenda 2 javëve, pra 1 javë punime për njërën korsi dhe 1 javë për korsinë tjetër.
po mendohet me policinë që ndërhyrjet për riparimin e asfaltit të bëhen me fasha orare, ose gjatë natës. Por, kjo do të vendoset përfundimisht me policinë rrugore dhe ARRSH, me qëllim që të ketë lehtësim të trafikut.
Punimet nisën ditë e djeshme, por u ndërprerën. Drejtuesve të mjeteve u ishte bërë thirrje që të përdoronin rrugën dytësore: Vorë-Maminas-Katër rrugët e Shijakut-Durrës, por gjithsesi bllokimi i një prej akseve më kryesore të vendit solli kaos dhe trafik që zgjati me orë.