4 Mars 1918 – Shpërthen Pandemia e Gripit Spanjoll
Në vjeshtën e vitit 1918, Lufta e Madhe në Europë po përfundonte, dhe paqja ishte në horizont. Amerikanët u bashkuan në luftë, duke i afruar aleatët më pranë fitores kundër gjermanëve. Ushtarët jetuan për muaj të tërë nëpër llogore në kushte ekstreme. Megjithatë në disa pjesë të globit, shpërtheu një virus që në pamje të pare, dukej si një virozë e zakomshme e stinës së dimrit.
Në fakt, gripi i tij atij sezoni rezultoi një murtajë e vërtetë, që në pak më shumë se 2 vjet i mori jetën 50-100 milionë njerëzve, ndërsa u sëmur prej tij një e pesta e popullsisë së botës. Gripi ishte më vdekjeprurës për njerëzit e moshës 20- 40 vjeç, diçka e pazakontë për këtë lloj sëmundje, e cila është zakonisht një vrasëse e fëmijëve të vëgjel dhe të moshuarve.
Në 4 mars të vitit 1918, një kuzhinier i ushtrisë amerikane u shtrua në infermierinë e bazës ushtarake Fort Riley në Kansas, me temperaturë të lartë 39.5 gradë C. Brenda dy ditësh, u sëmurën edhe 521 burra të tjerë. Gripi infektoi në total 28 për qind të popullsisë amerikane. Rreth 675.000 amerikanë vdiqën nga gripi gjatë pandemisë, dhjetë herë më shumë se në Luftën e parë Botërore.
Pandemia u shfaq në dy faza. Në fund të pranverës së vitit 1918, faza e parë, e njohur si “ethet 3-ditore “, u shfaq pa ndonjë paralajmërim. U raportuan pak vdekje. Viktimat, u gjetën vetëm pas disa ditësh. Kur sëmundja u shfaq përsëri atë vjeshtë, ishte shumë më e rëndë. Shkencëtarët, mjekët dhe zyrtarët e shëndetësisë nuk mundën ta identifikonin këtë virus që po godiste kaq shpejt.
Disa prej viktimave ndërruan jetë brenda disa orësh nga simptomat e tyre të para. Të tjerë u dorëzuan pas disa ditësh; mushkëritë e tyre u mbushën me lëngje deri në asfiksinë e tyre. Pandemia e u ndërlikua më tej me shpërthimin e letargjisë encefalite në vitet 1920.
Pandemia zgjati nga marsi 1918 deri në qershor 1920, duke u përhapur deri në Arktik dhe ishujt e largët të Paqësorit. Shkencëtarët besojnë sot se virusi erdhi nga zogjtë, dhe se kishte ngjashmëri me gripin e shpendëve që edhe sot shkakton me raste viktima, por edhe shumë panik në mesin e njerëzve.
4 Mars 1952 – Ernest Hemingway përfundon romanin “Plaku dhe deti”
Ernest Hemingway përfundon romanin e tij të shkurtër “Plaku dhe deti”. Ai e njoftoi botuesin e tij po atë ditë, duke i thënë se ishte vepra më e mirë që shkuar ndonjëherë. Edhe kritikët ranë dakord:Libri fitoi çmimin Pulitzer në vitin 1953. dhe u bë një nga veprat e tij më të mira.
Novela, e cila u botua për herë të parë në revistën “Life”, ishte një alegori që i referohej përpjekjeve të vetë shkrimtarit për të ruajtur artin e tij përballë famës dhe vëmendjes së publikut. Hemingway ishte bërë një figurë e famshme, me 4 martesat dhe aventurat e tij në gjueti dhe peshkim, që ishin mbuluar gjerësisht në shtyp. Por, pavarësisht nga fama e tij, ai nuk kishte prodhuar një vepër të madhe letrare në një decade, para se të shkruante “Plaku dhe deti”.
Libri do të ishte vepra e tij e fundit e rëndësishme, para se të vetëvritej më 1961.
4 Mars 1954 – Sekretari amerikan i Shtetit John Dulles kërkon veprime konkrete kundër komunizmit
Duke folur para Konferencës së X-të Ndër-Amerikane, Sekretari i Shtetit John Foster Dulles paralajmëroi se “komunizmi ndërkombëtar”, po kryen sulme në hemisferën perëndimore, teksa u kërkoi kombeve të Amerikës Latine ta denoncojnë këtë rrezik. Fjalimi i Dulles, ishte pjesë e një serie veprimesh të planifikuara për të ushtruar presion mbi qeverinë e majtë të Guatemalës , një vend për të cilin Uashingtoni druhej se kishtë rënë nën ndikimin e Bashkimit Sovjetik.
Fjalimi i Dulles pati disa efekte të drejtëpërdrejta. Përfaqësuesit e Amerikës Latine në atë takim, miratuan një rezolutë që e dënonte “ komunizmin ndërkombëtar” .
Në maj të po atij viti Dulles kërkoi që Organizata e Shteteve Amerikane (OAS), të merrte në konsideratë vendosjen e e sanskioneve ndaj Guatemalës, por kërkesa e tij u injorua. Vendet e Amerikës Latine, hezituan të fusnin hundët në punët e brendshme të një vendi tjetër.
Në ato kushte, presidenti Eisenhower udhëzoi CIA-n, që përmes kombinimit të propagandës, bombardimeve të fshehta dhe krijimit të një force mercenare “kundërrevolucionarësh” në Nikaragua dhe Honduras, të ishte në gjendje të destabilizonte qeverinë e Guatemalës, e cila ra nga pushteti në qershor 1954, duke u zëvendësuar nga një diktaturë anti-komuniste, e udhëhequr nga Carlos Castillo Armas.
4 Mars 1519 – Konkuistadori spanjoll, Hernan Cortés, arrin në Meksikë në kërkim të qytetërimit aztek dhe pasurisë së tij.
4 Mars 1789 – Kongresi i SHBA-së shpall fuqizimin e kushtetutës, në bazë të së cilës, Xhorxh Uashington u zgjodh president i vendit.
4 Mars 1790 – Franca ndahet në 83 departamente administrative, në përpjekje për të hequr varësinë rajonale bazuar në pronësinë e tokës nga ana e familjeve fisnike.
4 Mars 1923 – Në Bashkimin Sovjetik, “Pravda” boton artikullin e fundit të Leninit, ku ai paralajmëron mbi rreziqet e burokracisë së kuqe.
4 Mars 1945 – Finlanda i shpall luftë Gjermanisë naziste.
4 Mars 1949 – Këshilli i Sigurimit i OKB-së rekomandon anëtarësimin e Izraelit.
4 Mars 1954 – Spitali Peter Bent Brigham, në Boston, SHBA, shpall realizimin e transplantit të parë të suksesshëm të veshkave.
4 Mars 2001 – Një bombë e vendosur në një makinë shpërthen përpara Qendrës televizive BBC në Londër, duke plagosur rëndë një person. Sulmi mendohet se ishte organizuar nga IRA.
4 Mars 2009 – Gjykata Ndërkombëtare Penale, lëshon një urdhër arresti për presidentin sudanez Omar Hasan Al-Bashir për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Darfur.
4 Mars 2012 – Një seri shpërthimesh ndodhin në një depo municionesh në Brazavil, kryeqyteti i Republikës së Kongos, duke vrarë të paktën 250 vetë.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce