28 Nëntor 1845- Lind shkrimtari i famshëm austriak Stefan Zweig
Zweig lindi në kryeqytetin austriak Vjenë. I ati Moritz, ishte një prodhues i madh tekstilesh me origjinë hebreje, ndërsa e ëma Ida Brettauer, ishte vajza e një familje bankare hebreje. Zweig studioi filozofi në Universitetin e Vjenës. Feja judaike, nuk luajti një rol qëndror në edukimin e tij. Megjithatë, ai shkroi në mënyrë të përsëritur mbi hebrenjtë dhe temat hebraike, ndërsa kishte një marrëdhënie të ngrohtë me Theodor Herzl, themeluesin e Sionizmit.
Zweig besonte tek internacionalizmi dhe europeizmi siç e bën të qartë edhe në librin e tij autobiografik “Bota e djeshme”. Në fillim të Luftës së Parë Botërore, ndjeja patriotike ishte tejet e përhapur, dhe preku edhe shumë hebrenj gjermanë dhe austriakë. Edhe Zweig e mbështeti fillimisht luftën. Por teksa shërbente në arkivat e Ministrisë së Luftës, u bë gradualisht një pacifist i vendosur.
Në vitin 1934, pas ngjitjes së Hitlerit në pushtet në Gjermani, Zweig u largua nga Austria drejt Anglisë, ku jetoi deri në vitin 1940, kur për shkak të luftës u zhvendos së bashku me gruan e tij të dytë në Nju Jork të SHBA-së. Por do të qëndronte atje vetëm pak muaj, dhe do të zhvendosej përsëri në Petropolis, një qytet malor pak kilometra larg Rio de Zhaneiros në Brazil.
Duke u ndjerë gjithnjë e më në depresion për shkak të luftës në Evropë, dhe të ardhmes së njerëzimit, ai i shkroi një letër Jules Romains:“Kriza ime e brendshme, konsiston në atë që unë nuk jam në gjendje të identifikoj veten me pasaportën apo statusin e një emigranti”.
Më 23 shkurt 1942, çifti i bashkëshortëve Zweig u gjet i vdekur nga një mbidozë helmi në shtëpinë e tyre në Petropolis. Zëeig ishte një shkrimtar i shquar në vitet 1920 dhe 1930, duke patur miqësi të ngushtë me Sigmund Freud. Ai ishte shumë popullor në Shtetet e Bashkuara, Amerikën e Jugut dhe në Evropë, dhe po kështu edhe në Evropën kontinentale, por u injorua në përgjithësi nga publiku britanik.
Zweig është më i njohur për novelat e tij (Loja mbretërore, Amok dhe Letër nga një grua e panjohur – e cila u përshtat edhe në një film në vitin 1948, me rregjinë e Max Ophüls), romanet (Kujdes nga mëshira, Konfuzioni i Ndjenjave dhe Vajza e postës), dhe biografitë (sidomos Erazmi i Roterdamit, Ferdinand Magelani, MeriMbretëresha e Skocisë dhe Zhozef Fushe).
28 Nëntor 1907 – Lind shkrimtari i mirënjohur italian Alberto Moravia
Fillimet e veta Moravia i pati si gazetar. Romanet e tij trajtojnë çështjet e seksualitetit modern, alienimit social dhe ekzistencializmit. Moravia është më i njohur për romanin e tij debutues “Indiferentët” (1929), dhe për romanin antifashist “Konfirmisti”, që u përshtat në një film me të njëjtin titull të vitit 1970, me regjinë e Bernardo Bertoluçit.
Shkrimtari deklaroi në një rast, se ngjarjet më të rëndësishme të jetës së tij, kishin qenë sëmundja e tij, një infeksion tuberkular i kockave, që e detyroi të qëndronte në rregjim shtrati për 5 vjet me rradhë dhe fashizmi, pasi të dyja e detyruan të vuante dhe të bënte gjëra që përndryshe nuk do t’i bënte. “Është ajo që jemi të detyruar të bëjmë, e cila e formon karakterin tonë, dhe jo ajo që bëjmë me vullnetin tonë të lirë”.
Moravia ishte ateist. Ai besonte se shkrimtarët duhej të përfaqësonin realitetin duke “marrë një pozicion moral, një qëndrim të qartë politik, social dhe filozofik”, ndërsa theksonte se në fund “një shkrimtar mbijeton pavarësisht bindjeve të tij”. Gjatë viteve 1959-1962, Moravia ishte president i “PEN International”, shoqata botërore e shkrimtarëve.
28 Nëntor 1943 – Në Iran nis punimet Konferenca e Teheranit
E para nga dy takimet e mëdha të kohës së luftës midis tre fuqive kryesore aleate, SHBA-ja, Britania dhe Bashkimi Sovjetik, Konferenca e Teheranit u hap me fjalën e Stalinit, që shprehu besim tek fitorja përfundimtare mbi fashizmin, pas disa fitore të mëdha në Frontin Lindor.
Udhëheqësi sovjetik ishte dominues në atë takim.
Në këmbim të ndihmës së SHBA-së për të mposhtur Gjermaninë në pjesën lindore, Stalini premtoi të ndihmonte Shtetet e Bashkuara për të fituar luftën ndaj Japonisë. Takimi ishte aq miqësor, saqë që Churchilli u shpreh më vonë i shqetësuar nga përpjekjet e pazakonta të Roosevelt për të lajkatuar Stalinin.
28 Nëntor 1954 – Vdes Enrico Fermi, arkitekti i epokës bërthamore
Fermi lindi në Romë më 1 shtator 1901. Karrierën si fizikant e nisi që në moshën 17-vjeçare, ndërsa u diplomua në Universitetin e Pizës në moshën 21 vjeçare. Pas studimeve në Gjermani nën drejtimin e fizikantit Max Born, Fermi u rrikthye në Itali për të studiuar matematikë në Universitetin e Firences. Në vitin 1926, ai u bë profesor i fizikës teorike, dhe mblodhi rreth vetes një grup fizikantësh të tjerë të rinj.
Fermi u fokusua në prodhimin e radioaktivitetit, nëpëmjet manipulimit të shpejtësisë së neutroneve që rrjedhin nga beriliumi radioaktiv. Eksperimentimi i mëtejshëm, përfshiu edhe uraniumin 92, duke prodhuar substanca të reja radioaktive. Për arritjet e tij, ai fitoi në vitin 1938, çmimin Nobel në fizikë.
Për shkak të kundërshtimit të rregjimit të Mussolinit, largohet fillimisht në Suedi dhe prej andej në SHBA, ku në Universitetin e Kolumbias, rifillon eksperimentet e tij përkrah fizikantit të famshëm danez Niels Bohr, i cili sugjeroi mundësinë e një reagimi zinxhir bërthamor.
Nga frika se gjermanët mund të arrinin të prodhonin të parët një bombë që shfrytëzonte këtë energji të jashtëzakonshme, Fermni e bindi presidentin Roosevelt të hapte dritën jeshile për Projektin Manhatan, që në vitin 1945 arriti të prodhojë bombat e para bërthamore, të cilat u testua në Hiroshima dhe Nagasaki të Japonisë.
28 Nëntor 1443 – Skënderbeu dhe ushtria e tij, çlirojnë Krujën në Shqipërinë qëndrore nga pushtuesit osmanë, duke ngritur flamurin shqiptar.
28 Nëntor 1520 – Një ekspeditë nën komandën e Ferdinand Magelanit, kalon për herë të parë ngushticën që do të mbajë më vonë emrin e tij.
28 Nëntor 1885 – Fitorja e bullgarëve në Luftën Serbo-Bullgare, arrin të ruajë unitetin e vendit.
28 Nëntor 1905 – Nacionalisti irlandez Arthur Griffith, themelon partinë Sinn Féin, me qëllimin kryesor krijimin e një monarkie të dyfishtë në Irlandë.
28 Nëntor 1912 – Shqipëria shpall pavarësinë e saj nga Perandoria Osmane.
28 Nëntor 1942 – Një zjarr i madh në një klub nate në Boston të SHBA-së, shkakton vdekjen e 492 njerëzve.
28 Nëntor 1979 – Një avion i “Air New Zealand” që po fluturonte mbi Antarktidë, rrëzohet në malin Erebus, duke vrarë të 257 personat që gjendeshin në bord.
28 Nëntor 1989 – Revolucioni i Kadifejtë:Përballë protestave të mëdha popullore, Partia Komuniste e Çekosllovakisë, njofton se do të heqë dorë nga monopoli i saj mbi pushtetin politik.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce