13 Dhjetor 2003 – Trupat amerikane arrestojnë diktatorin irakian Sadam Husein
Pasi 9 muajve në arrati, ish-diktatori i Irakut, Sadam Husein, kapet nga trupat amerikane, i fshehur në një tunel të thellë nën tokë, pak kilometra larg vendlindjes së tij në Tikrit. Rënia e Saddamit filloi më 20 mars 2003, kur Shtetet e Bashkuara nisën pushtimin e vendit për të rrëzuar qeverinë e tij, e cila e kishte kontrolluar vendin për më shumë se 20 vjet.
Sadam Husein lindi më 1937 në një familje të varfër. Pasi u transferua në Bagdad që në adoleshencë, Husein iu bashkua partisë së famshme Baath, të cilën më vonë do ta drejtojë. Ai mori pjesë në disa përpjekje për grusht shteti, duke ndihmuar ngjitjen në pushtet të kushëririt të tij si diktator i Irakut në korrikun e vitit 1968, vetëm për ta zëvendësuar këtë të fundit 11 vjet më vonë.
Gjatë 24 viteve të tij në detyrë, policia sekrete e Sadamit, e ngarkuar me mbrojtjen e pushtetit të vet, terrorizoi qytetarët, duke injoruar të drejtat e tyre themelore. Ndërsa shumë njerëz përballeshin me varfërinë, ai jetoi në një luks të jashtëzakonshëm, duke ndërtuar më shumë se 20 pallate luksoze në të gjithë vendin.
Në fillim të viteve 1980, Sadami e përfshiu vendin e tij në një luftë 8-vjeçare me Iranin, që vlerësohet se shkaktoi më shumë së 1 milionë të vrarë në të dyja anët. Pasi pushtoi Kuvajtin në vitin 1990, një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara pushtoi Irakun në vitin 1991, duke e detyruar ushtrinë e diktatorit të largohet nga fqinji i tij më i vogël, por duke dështuar ta largojë Sadamin nga pushteti.
Gjatë gjithë viteve 1990, Husein u përball me sanksionet ekonomike dhe sulmet ajrore, që synonin dëmtimin e aftësisë së tij për prodhimin e armëve kimike, biologjike dhe bërthamore.
Pas rrëzimit rregjimit të talebanëve në Afganistan, të cilësuar si mbështetësit kryësore të Al-Kaedës në sulmet e 11 Shtatorit 2001 në SHBA, Uashingtoni vendosi edhe rrëzimin e rregjimit të Sadamit, për shkak të dyshimeve se ky i fundit zotëronte armë të shkatërrimit në masë.
13 Dhjetor 1916 – Mbi 10 mijë ushtarë gjejnë vdekjen nga orteqet në Alpet italiane
Një ortek i fuqishëm vret qindra ushtarë austriakë në një kazermë pranë malit Marmolada në Itali. Gjatë një periudhe prej disa ditësh, ortekët në Alpet italiane do të vrasin rreth 10 mijë ushtarë austriakë dhe italianë në mesin e muajit dhjetor. Ortekët ndodhën gjatë kohës që austriakët dhe italianët po luftonin mes tyre në Luftën e Parë Botërore, dhe disa dëshmitarë pohuan se ato shkaktoheshin qëllimisht për t’u përdorur si një armë kundër armikut.
Italianët hynë në Luftën e Parë Botërore në fundin e prillit 1915 përkrah Britanisë, Francës dhe Rusisë, kundër Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë. Gjatë 3 viteve të ardhshme, ushtria italiane u përball me austriakët në një seri betejash të përgjakshme në rajonin malor përgjatë lumit Isonzo, pranë kufirit mes dy vendeve.
Kushtet në mal qenë shpesh më të këqija se sa luftimet. Një zyrtar austriak tha në një rast:”Malet në dimër, janë më të rrezikshëm se sa italianët!”. Kjo ishte sigurisht e vërtetë në mesin e dhjetorit të vitit 1916, kur reshjet e mëdha të borës në Alpet krijuan kushte për orteqe masive.
Qindra ushtarë austriakë të vendosur në një kazermë në Gran Pozi buzë Malit Marmolada, ishin veçanërisht të rrezikuar. Më 13 dhjetor, afro 200.000 tonë dëborë, shkëmbinj dhe akull u lëshuan nga maja e malit mbi kazermë. Rreth 200 trupa u larguan në kohë në një vend më të sigurtë, por 300 të tjerë vdiqën mënjeherë. Vetëm disa prej trupave u gjetën. Ndërsa bora e madhe dhe erërat e forta vazhduan gjatë javës së ardhshme, incidente si ai i Marmoladas ndodhën shumë herë. Trupat e disa viktimave nuk u gjetën dot, deri ku erdhi pranvera.
13 Dhjetor 1918 – Presidenti amerikan Wilson mbërrin në Francë për Konferencën e Paqes
Wilson u përpoq në fillim ta mbante Amerikën larg luftës, duke pretenduar neutralitet në vitin 1914, kur shpërthyen armiqësitë në Evropë. Mbytja e anijes “Lusitania” në vitin 1915, që kishte në bord qytetarë amerikanë, dhe shtimi i sulmeve nga nëndetëset gjermane në Atlantik, nxitën një zemërim në rritje të Uashingtonit ndaj Berlinit.
Megjithatë, vetëm marsin e viit 1917, kur u bë publik një telegram përmes së cilës Gjermania i propozonte Meksikës një aleancë midis dy vendeve, Wilson vendosi t’i kërkojë Kongresit t’i shpallë luftë Gjermanisë, të cilën e bëri në fillim të prillit. Pas kësaj, trupat amerikane iu bashkuan aleatëve të tyre britanikë dhe francezë në luftën kundër Fuqive Qëndrore, derisa u arrit një armëpushimi në nëntorin e vitit 1918.
Në fillim të vitit 1918, Uillson përvijoi një plan për themelimin e Lidhjes së Kombeve, një strukturë që ai shpresonte se do të frenonte paqësisht konfliktet ndërkombëtare, dhe do të parandalonte një luftë tjetër si ajo që sapo kishte përfunduar. Wilson e mori me vete këtë plan në Francë.
Bisedimet e zhvilluara nga Wilson në Evropë, i dhanë tonin diplomacisë së jashtme amerikane të pasluftës, e cila vinte thekin tek ndërhyrja mbi izolimin dhe paraqiti idenë e një organizate paqësore shumëkombëshe. Lidhja e Kombeve dështoi, kryesisht për shkak se senati amerikan vendosi mosanëtarësimin e SHBA-së në të, por ishte paraardhësja e Kombeve të Bashkuara, e cila krijua pas Luftës së Dytë Botërore.
13 Dhjetor 1937 – Japonezët nisin përdhunimet masive dhe masakrat ndaj kinezëve në Nanking, kryeqytetin e vendit. Ata masakruan rreth 150.000 burra “të burgosur të luftës”, 50.000 civilë të tjerë meshkuj, si dhe përdhunuan të paktën 20.000 gra dhe vajza të të gjitha moshave, shumë prej të cilëve u gjymtuan ose u vranë.
13 Dhjetor 1636 – Kolonia e Gjirit të Masaçusetsit, organizon 3 regjimente të milicisë për të mbrojtur koloninë nga sulmet e indianëve. Kjo organizatë njihet sot si themeli i Gardës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
13 Dhjetor 1949 – Parlamenti izaelit, Knesset, voton pro zhvendosjes së kryeqytetit të Izraelit në Jeruzalem.
13 Dhjetor 1967 – Mbreti Konstandini II i Greqisë, tenton një grusht shteti të një pasuksesshëm, kundër regjimit të kolonelëve në vend.
13 Dhjetor 1981 – Gjenerali Wojciech Jaruzelski, shpall ligjin ushtarak në Poloni, kryesisht për shkak të protestave dhe grevave të Solidarnost.
13 Dhjetor 2002 – Bashkimi Evropian njofton se Qipro, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia, do të bëhen anëtare të unionit më 1 maj 2004.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce