1 Dhjetor 1955- Afro-amerikania Rosa Parks, nxit bojkotin e autobuzëve në Alabama
Në Montgomeri të Alabamës, Rosa Parks, burgoset për shkak të refuzimit të saj për t’i lëshuar vendin një burri të bardhë në një autobus publik, një shkelje e ligjeve racore të qytetit. Kjo shkaktoi fillimin e bojkotit të suksesshëm të gjithë sistemit të tranportit publik nga ana e zezakëve, i organizuar nga një pastror i ri baptist i quajtur Martin Luther King Jr.
Rosa Parks, lindi në Tuskegi të Alabams më 1913. Ajo punonte si rrobaqepëse, dhe në vitin 1943 iu bashkua degës së Montgomerit të Shoqatës Kombëtare për të Drejtat e Personave me Ngjyrë (NAACP). Sipas një urdhëri të bashkisë së qytetit të Montgomerit në vitin 1955, afro-amerikanët detyroheshin të uleshin përherë në pjesën e pasme të autobusëve, dhe gjithashtu ishin të detyruar t’u lëshonin vendin njerëzve të bardhë, nëse rradhët e para ishin të zëna.
Parks ndodhej në rreshtin e parë të seksionit të përcaktuar për zezakët, kur shoferi, një burrë i bardhë, i kërkoi të ngrihet nga vendi i saj për t’i lënë vendin një tjetër burri të bardhë.
Refuzimi i saj, u shoqëria me arrestimin nga policia pas pak minutash. NAACP dhe aktivistë të tjerë afro-amerikanë, bënë thirrje për një bojkot të transportit publik më 5 dhjetor nga ana e zezakëve.
Dita e parë e bojkotit, qe një sukses i madh, dhe atë natë reverendi 26-vjeçar Martin Luther King Jr. u shpreh para një turmë të madhe të mbledhur në një kishë:”Lavdia e madhe e demokracisë amerikane, është e drejta për të protestuar mbi atë që është e drejtë!”.
King mori kërcënime të shumta me vdekje, nga kundërshtarët e integrimit racor. Në një rast, në shtëpinë e tij shpërtheu një bombë, por përveç dëmeve materiale, ai dhe familja e tij nuk pësuan lëndime trupore. Bojkoti zgjati për më shumë se një vit, dhe pjesëmarrësit ose përdorën makina private në mënyrë të organizuar, ose ecën për kilometra të tëra për të shkuar në punë apo në shkolla.
Për shkak se afro-amerikanët përbënin më parë 70 përqind të udhëtarëve në linjat e autobusëve të Montgomerit, sistemi i transportit pësoi humbje të mëdha financiare nga bojkoti. Më 13 nëntor 1956, Gjykata e Lartë e SHBA-s, i hodhi poshtë ligjet e shtetit të Alabamas dhe Montgomerit për ndarjen mbi baza racore të ndenjëseve në autobuzët publikë të qytetit, që shkelnin klauzolën e mbrojtjes së barabartë që ofron amendamenti i14-të i Kushtetutës së SHBA-së.
1 Dhjetor 1958 – Dhjetëra studentë vdesin gjatë një zjarri në një shkollë në Çikago
Një zjarr i madh në një shkollë në Çikago, i merr jetën 90 studentëve. Shkolla e Zojës së Engjëjve, drejtohej nga Motrat e Bamirësisë në Çikago. Në vitin 1958, në këtë shkollë ishin të regjistruar mbi 1.200 studentë, të cilët flinin në një ndërtesë të madhe dhe të vjetër.
Kur një zjarr i vogël shpërtheu tek një grumbull plehrash në bodrum, ai shkaktoi një katastrofë.
U deshën vetëm pak minuta që zjarri të mbërrinte në katin e dytë. Disa studentë kërcyen nga dritaret për t’u larguar, të tjerët nuk mundën. Kur zjarri u shua disa orë më vonë, autoritetet zbuluan se 90 studentë dhe 3 murgesha kishin humbur jetën.
1 Dhjetor 1934- Vritet një nga udhëheqësit e Revolucionit Bolshevik, Sergej Kirov
Sergei Kirov, udhëheqës i Revolucionit Rus, dhe një anëtar i rangut të lartë të Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, qëllohet për vdekje në zyrën e tij në Leningrad, nga komunisti Leonid Nikollaj, me shumë gjasa me porosi të vetë udhëheqësit sovjetik Josif Stalin. Pavarësisht rolit të saktë të Stalinit në vrasjen e kundërshtarit të tij politik, Kirov, fakt është se udhëheqësi sovjetik e përdori këët vrasjen si një pretekst për eliminimin e shumë kundërshtarëve të tij në Partinë Komuniste, qeveri, forcat e armatosura dhe shërbimet sekrete.
Vrasja e Kirovit shërbeu si bazë për 7 procese gjyqësore të veçanta, si dhe arrestimin dhe ekzekutimin e qindra figurave të rëndësishme në jetën politike, ushtarake dhe kulturore sovjetike. Çdo gjyq kundërshtonte të tjerët në detaje themelore, dhe individë të ndryshëm u shpallën fajtorë për organizimin e vrasjes së Kirovit, me mjete të ndryshme dhe për motive të ndryshme politike. Gjyqet për vrasjen e Kirovit, shënuan fillimin e fushatës 4-vjeçare të spastrimeve masive në Bashkimin Sovjetik, gjatë së cilës miliona njerëz u burgosën, u internuan ose u vranë.
1 Dhjetor 1919 – Krijohet Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene
Mbretëria e re e mbështetur nga Lidhja e Kombeve, premtoi mbështetje për minoritetet në Evropës. Të përfshirë në shtetin e ri ishin 500.000 hungarezë, po kaq gjermanë, si dhe dhjetëra mijëra rumunë, shqiptarë, bullgarë dhe italianë. Princi i kurorës Aleksander, djali i mbretit të sëmurë të Serbisë, u emërua regjent i qeverisë së përkohshme të shtetit të ri.
Në vitin 1921, me mbështetjen e përfaqësuesve serbë në qeveri, dhe përkundër kundërshtimit të federalistëve kroatë, të cilët favorizonin një shpërndarje më të gjerë të pushtetit, u miratua një kushtetutë e re, e cila krijoi një qeveri të fortë qendrore. Aleksandri u bë mbret, pasi i ati i tij vdiq po atë vit.
Tensionet vazhduan të rriteshin, pas mohimit të autonomisë ndaj grupimeve të ndryshme etnike, sidomos kroatëve dhe sllovenëve, dhe në verën e vitit 1928, në kundërpërgjigje ndaj vrasjes së udhëheqësit kroat Stjepan Radiç dhe dy kolegëve të tij nga një deputet malazez në parlamentin kombëtar, kroatët e braktisën parlamentin, dhe organizuan një regjim separatist me qendër në Zagreb.
Në janarin e vitit 1929, me kombin në prag të luftës civile, Aleksandri e pezulloi kushtetutën, shpërndau parlamentin, të gjitha partitë politike, dhe vendosi një kontroll diktatorial mbi vendin. Si pjesë e përpjekjeve të tij për t’i imponuar unitetin kombëtar grupeve etnike ndërluftuese të vendit, ai e quajti vendin Jugosllavi. Megjithatë, konfliktet vazhduan dhe në vitin 1934, Alekandri u vra nga nacionalistët kroatë, gjatë një vizite shtetërore në Francë. Djali i tij, Pjetri, arriti të ruante unitetin e vendit deri në vitin1941, kur ushtria gjermane pushtoi Serbinë dhe Kroacia shpalli pavarësinë e saj.
1 Dhjetor 1862 – Në fjalimin e tij vjetor, presidenti amerikan Abraham Lincoln, ripohon domosdoshmërinë e heqjes së skllavërisë në vend.
1 Dhjetor 1913 – Pasi fiton pavarësinë e saj nga Turqia pas Luftës së Parë Ballkanike, ishulli i Kretës aneksohet nga Greqia.
1 Dhjetor 1941 –Perandori japonez Hirohito, merr vendimin përfundimtar për fillimin e luftës kundër Shteteve të Bashkuara.
1 Dhjetor 1960 – Paul Mccartney dhe Pete Best arrestohen, dhe më vonë dëbohen nga qyteti gjerman i Hamburgut, pas akuzave për zjarrvënie të mbetur në tentative.
1 Dhjetor 1989 – Parlamenti i Gjermanisë Lindore, shfuqizon dispozitën kushtetuese që i jepte deri atëhere Partisë Komuniste rolin udhëheqës të vendit.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce