Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vënë veton rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku bëhej thirrje për tërheqjen e vendimit të presidentit amerikan Donald Trump, për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.
Veç SHBA-ve, 14 anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit kanë votuar pro rezolutës. Më parë, Izraeli kishte shprehur bindjen se SHBA-të do t’i venë veto kësaj rezolute.
Hedhja në votim e rezolutës është një fyerje dhe një mospërfillje që ne nuk do e harrojmë, theksoi ambasadorja amerikane në OKB.
Duke u shprehur pas kësaj vote, të cilës Uashingtoni i vuri veton, Nikki Haley theksoi angazhimin financiar të SHBA-ve në përfitim të popullsisë palestineze.
I kërkuar nga Egjipti, që ka dënuar pasojat e rënda të vendimit amerikan, teksti shprehte se vendimi i shpallur para disa ditësh nga presidenti republikan, Donald Trump, duhet të tërhiqet.
Njohja e Jerusalemit si kryeqyteti i Izraelit ka sjellë zemërimin e palestinezëve, manifestime në të gjithë botën myslimane dhe një kundërshtim gati unanim të komunitetit ndërkombëtar.