Trombozat e venave të thella janë ndër shkaqet më të shpeshta të vdekjeve spitalore të cilat mund të parandalohen. Në gjenezën e shfaqjes së tyre mbizotërojnë tre faktorë; staza, hiperkoagulimi dhe anomalitë e murit të venës, ndërkohë që ndërhyrjet kirurgjikale, tumoret malinje, sëmundjet e hematologjike, autoimune, venat varikoze, insufiçenca kardiake, obeziteti etj, luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm.
Albana Kenga, kirurge vaskulare pranë Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, tregon për gazetën “Shëndet+” se, vitet e fundit, me shtimin e jetëgjatësisë, sëmundjeve malinje dhe shtimit të numrit të operacioneve, në mënyrë të drejtpërdrejtë vihet re edhe një rritje e numrit të pacientëve që shfaqin komplikacione të trombozave të venave të thella.
Ndër simptomat kryesore të kësaj patologjie, nga mungesa e plotë deri në shenja të qarta klinike, mund të përmendim ënjtjen, dhimbjen, skuqjen, nxirjen dhe temperaturën lokale, ndërkohë që ndërlikimet më të shpeshta më serioze i jep në mushkëri me trombembolinë pulmonare dhe sindromin post trombotik.
Vonesat në trajtim (trombolizë, heparinoterapi, komprimim me çorape elastike etj), mund të rrezikojnë jetën e pacientit ose ta çojnë atë drejt një invalidizimi nga ënjtja dhe dhimbja e theksuar e anesisë së prekur nga sëmundja.
Çfarë janë trombozat e venave të thella të gjakut?
Trombozat e venave të thella janë mbyllje të plota apo të pjesshme të lumenit të një vene të thellë nga koagulimi i gjakut. Këto lloj trombozash mund të shfaqen në çdo venë të thellë të trupit, por më të shpeshta janë ato të gjymtyrëve të poshtme. Ato paraqesin një urgjencë mjekësore. Kërkojnë eksplorime paraklinike dhe trajtim korrekt sa më të hershëm. Rëndësia e tyre qëndron edhe në faktin se janë ndër shkaqet më të shpeshta të vdekjes spitalore që mund të parandalohen dhe përbëjnë sëmundshmëri dhe invalidizim afatgjatë.
Çfarë ndikon në shfaqjen e tyre?
Trombozat e venave të thella kanë shkaqe të shumta dhe të ndryshme. Në gjenezën e tyre mbizotërojnë tre faktorë. Staza (pellgëzim i gjakut), hiperkoagulimi (prirje e gjakut për t’u mpiksur) dhe anomalitë e murit të venës. Dallohen gjendje të hiperkoagulimit parësor dhe dytësor. Në atë parësor përfshihen anomali cilësore dhe sasiore të koagulimit të gjakut, të cilat janë kryesisht të lindura dhe bëhen shkak për tromboza të venave të thella në mosha të reja, tromboza të cilat kanë tendencë për t’u përsëritur dhe që kanë nevojë për trajtim të zgjatur. Me hiperkoagulabilitet dytësor nënkuptohet një shkak objektiv i cili ka ndikuar në shfaqjen e trombozës. Shkaqe të tilla janë të shumta, por ndër më kryesorët mund të përmendim:
Gjendjet pas operacioneve obstetrikale, onkologjike, ortopedike dhe abdominale.
Tumore malinje të ndryshëm, kryesisht ai i pankreasit, mushkërisë, stomakut, zorrëve, prostatës, vezikës urinare, mitrës dhe vezoreve.
Sëmundje hematologjike (të gjakut).
Sëmundjet autoimune.
Venat varikoze.
Insuficienca kardiake.
Përdorimi i kontraceptiveve oral dhe terapisë hormonale
Obeziteti
Sa shpesh hasen dhe kush janë më të rrezikuarit?
Vitet e fundit, me shtimin e jetëgjatësisë, sëmundjeve malinje dhe shtimit të numrit të operacioneve, në mënyrë të drejtpërdrejtë është vënë re edhe një rritje e numrit të trombozave të venave të thella. Përgjithësisht, në grupmosha të ndryshme vihet re shpeshtësi e ndryshme e shfaqjes së këtyre trombozave. Është vënë re një shpeshtësi më e madhe me rritje e moshës së individit. Deri në dekadën e katër vihet re një incidencë 1 në 1000 veta në vit, me një prekje pak më të madhe të meshkujve kundrejt femrave, pas moshës 45 vjeçare rritet në 3-4 për 1000 veta në vit dhe pas të 80-ave 6-7 për 1000 veta në vit. Pra, njerëzit që kanë një ose më shumë nga faktorët e rrezikut të listuara më lart, shoqëruar me rritjen e moshës dhe sëmundshmerisë, janë edhe më të rrezikuarit për t’u prekur nga kjo sëmundje.
Me çfarë shenjash shoqërohet kjo patologji?
Manifestimet klinike të trombozave të venave të thella variojnë nga mungesa e plotë e simptomave deri në shenja dhe simptoma të qarta të sëmundjes, siç janë: edema (ënjtja e anesise), dhimbja (kryesisht e pulpës), skuqje, temperaturë lokale, nxirje e anesise (e shoqëruar me një ënjtje të theksuar të saj).