Leonardo Bonucci, të martën mbrëma, është shprehur se “Zonja e Vjetër” do ta ketë shumë të vështirë ndaj Barcelonës, në Ligën e Kampionëve, sidomos për faktin se do të përballen me treshen sulmuese më të mirë në botë, si Lionel Messi, Luis Suarez dhe Neymar.
Por, 29-vjeçari ka paralajmëruar Barcelonën se edhe ata, gjithashtu, kanë lojtarë të klasit botëror në skuadër, duke veçuar Gonzalo Higuainin e Paulo Dybalan.
“Leo Messi, Suarez dhe Neymar janë në mesin e 10 lojtarëve më të mirë në botë, po ashtu siç janë edhe Gonzalo Higuain e Paulo Dybala”, u shpreh Bonucci.
“Ata janë të paparashikueshëm. Messi tani luan më shumë në fushë, do të thotë se duhet te kemi kujdes nga ai. Sa për Neymarin, vetëm shikoni sprintin që bëri për 60 metra në ndeshjen Brazil – Paraguai”
“Sa i përket Suarezit, ai është luftarak, kurrë nuk ndalet së vrapuari dhe lufton për çdo top. Por, ne kemi mbrojtje më të fortë dhe do të kujdesemi për ta”, shtoi Bonucci.