Nga Yascha Mounk & Jordan Kyle “The Atlantic”/ Kur Xhair Bolsonaro fitoi zgjedhjet presidenciale në Brazil në muajin tetor, për tmerrin e elitës tradicionale politike të vendit, komentatorët u ndanë mbi ndikimet që do të kishte kjo ngjarje. Disa paralajmëruan se Bolsonaro, një populist i ekstremit të djathtë, i cili ka shprehur hapur admirimin për diktaturën ushtarake brutale që sundoi Brazilin në vitet 1964-1985, paraqiste një kërcënim të qartë dhe të prekshëm për demokracinë.
Të tjerë argumentuan se institucionet e forta të Brazilit, duke përfshirë median agressive dhe gjyqësorin e pavarur, do të frenonin tendencat e tij autoritare. Debati mbi Bolsonaron, i bën jehonë debatit akademik, mbi të ashtuquajturat figura populiste anembanë botës.
Disa studiues, kanë paralajmëruar se populistët priren të jenë të korruptuar, të vazhdojnë të mbajnë pushtetin duke e delegjitimuar opozitën, dhe të shkaktojnë dëme të përhershme ndaj institucioneve demokratike të vendeve të tyre.
Të tjerë, duke përfshirë historianin Niall Ferguson, sugjerojnë se qeveritë populiste janë zakonisht aq të paafta, sa qëndrojnë në pushtet vetëm për pak vite. Megjithatë, të tjerë, duke përfshirë teoricienin politik Shantal Mufe, e kanë vënë theksin tek potenciali pozitiv i populizmit, dhe kanë hamendësuar se kritikët e këtyre lëvizjeve janë thjesht mbrojtës të statuskuosë së dështuar.
Tani për tani, 4 demokracitë e vendeve më të populluara në botë janë, sundohen nga populistët: Narendra Modi në Indi, Donald Trumpi në Shtetet e Bashkuara, Joko Vidodo në Indonezi dhe Bolsonaro në Brazil. Kjo e bën më të rëndësishme të dimë se cilët studiues kanë të drejtë:ose demokracia gjendet në mesin e një tërheqjeje globale të pashembullt, ose po shohim një korrigjim pozitiv të kursit, në të cilin qytetarët po i mbajnë më në fund përgjegjës elitat globale për dështimet e tyre. (Mënyra më e qartë për t’iu përgjigjur kësaj çështje, është të shohim ndikimin që qeveritë populiste kanë pasur në fakt tek demokracitë në të kaluarën).
Për këtë qëllim, ndërtuam një bazë të dhënash gjithëpërfshirëse të qeverive populiste. Ne përzgjodhëm 66 revista kryesore mbi shkencat politike, sociologjinë dhe studime rajonalet; identifikuam gjithë artikujt mbi temën e populizmit, si dhe udhëheqësit politikë të lidhur me populizmin; pastaj verifikuam çdo rast studimi të mundshëm, duke u konsultuar me ekspertë vendas dhe rajonalë.
Në fund, identifikuam 46 udhëheqës populistë ose parti politike, që kanë qenë në pushtet në 33 vende demokratike midis viteve 1990 dhe deri më sot. Rezultatet ishin alarmante:Populistët, janë shumë të aftë të qëndrojnë në pushtet, dhe përbëjnë një rrezik akut për institucionet demokratike.
Mesatarisht, qeveritë demokratike tradicionale, mbeten në detyrë për një hapësirë të shkurtër kohore:3 vjet.
Gjashtë vjet pas zgjedhjes së tyre fillestare, 4 në 5 qeveri jo-populiste tashmë, qenë rrëzuar nga pushteti. Nga ana tjetër qeveritë populiste, arrijnë të qëndrojnë në pushtet për shumë më gjatë; mesatarisht rreth 6 vjet e gjysmë, ose më shumë se dy herë më shumë se sa rivalët e tyre jo-populistë.
Populistët, nuk kanë më shumë gjasa të fitojnë një mandat tjetër 1 ose 2 herë; ata gjithashtu kanë më shumë gjasa të qëndrojnë në pushtet për më shumë se një dekadë. Norma më e gjatë e mbijetesës së populistëve në pushtet, mund të pasqyrojë thjesht efikasitetin ose popullaritetin e tyre.
Por midis liderëve populistë që u ngjitën në pushtet midis viteve 1990- 2015, vetëm një pakicë e vogël u largua nga detyra, si rezultat i një procesi demokratik normal. Në fakt, vetëm 17 për qind e tyre u largua pasi humbën zgjedhjet e lira dhe të ndershme. 23 për qind u larguan nga zyra në rrethana më dramatike – ata u pezulluan ose u detyruan të jepnin dorëheqjen.
Ndërkohë 30 për qind e të gjithë liderëve populistë, sipas bazës sonë të të dhënave, mbetet në fuqi edhe sot. Por çështja më e rëndësishme, nuk është koha e qëndrimit të tyre në pushtet, por ajo që që ata bëjnë me pushtetin e tyre – dhe në veçanti, nëse qëndrimi i tyre shkakton atë që shkencëtarët politikë e quajnë “prapësim demokratik”, përkeqësim të masës në të cilën qytetarët gëzojnë të drejtat themelore.
Edhe këtu, gjetjet tona ishin shqetësuese:Në shumë vende, populistët rishkruan rregullat e lojës, për të pasur avantazhe në proceset zgjedhore. Pesëdhjetë për qind e populistëve, e ndryshojnë kushtetutën e vendit të tyre kur ngjiten në pushtet, shpesh me synimin e eliminimit të kufizimit të mandatit presidencaial, dhe zvogëlimit të kontrollit dhe balancimit të pushtetit ekzekutiv.
Ne kemi zbuluar gjithashtu, se qeverisja populiste është e lidhur me rrudhjen e lirive të shtypit, të drejtave civile dhe politike. Por a janë të gjithë populistët njëlloj të rrezikshëm? Sipas studiuesve si Mufe, studiuesit duhet të bëjnë një dallim të mprehtë midis populistëve të krahut të majtë, dhe atyre të krahut të djathtë.
Ndërsa të djathtët viktimizojnë pakicat e papëlqyeshme, dhe i armiqësojnë ato me opinionin publik, populistët e krahut të majtë supozohet se kanë më shumë gjasa të korrigjojnë dështimet
e elites, në emër të të varfërve dhe të shtypurve. Përgjigja më e mirë ndaj populistëve të krahut të djathtë, sipas këtij kampi, nuk është preferenca ndaj partive dhe kandidatëve që respektojnë rregullat dhe normat e vjetra demokratike – por zgjedhja e populistëve të krahut të majtë.
Por të dhënat nuk e mbështesin këtë argument. Që prej vitit 1990, janë zgjedhur 13 qeveri populiste të krahut të djathtë; prej tyre, 5 kanë sjellë prapësime të mëdha të demokracisë. Gjatë
të njëjtës periudhë, u zgjodhën 15 qeveri populiste të krahut të majtë; prej tyre, po 5 sollën prapësime të mëdha të demokracisë.
Populistët, zgjedhin shpesh të premtojnë se do të çrrënjosin korrupsionin. Në Itali, Lidhja e Veriut ka kërcënuar prej kohësh politikanët e korruptuar për “vjedhjen e Romës”. Në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Trump u zotua të “thante moçalin”. Por, larg nga tharrja e moçalit, shumica e populistëve, siç e thekson edhe ekonomisti i njohur Berri Ajshengrin, thjesht zëvendësoi “krokodilët e partive tradicionale, me krokodilët e vet edhe më vdekjeprurës!”.
Në fakt, ne kemi gjetur se 40 për qind e krerëve populiste të qeverive, janë paditur në gjykata për korrupsion. Mesatarisht, qeveritë populiste e kanë thelluar korrupsionin, kanë shkatërruar të drejtat individuale, dhe u kanë shkaktuar dëme serioze institucioneve demokratike. Marrë me shkurtime. Përashtati për Tirana Today, Alket Goce