Shqipëria është bërë vendi i 64-t në botë që i bashkohet grupit të aleatëve të Izraelit. Për këtë qëllim, Parlamenti i Shqipërisë ka prezantuar një grup të posaçëm parlamentar me përbërjen e të gjitha krahëve politikë dhe që bashkëdrejtohet nga deputetja socialiste Romina Kuko dhe kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi.
Ky zhvillim ka gjetur jehonë të gjerë në mediat izraelite, të cilat shkruajnë se grupi parlamentar do të punojë krah për krah me koalicionin ndërkombëtar të grupeve parlamentare pro-Izraelit për të çuar përpara “diplomacinë e bazuar në besim”, duke forcuar njëkohësisht mbështetjen për hebrenjtë.
“Fakti që ky grup përfshin përfaqësues si nga shumica, ashtu edhe nga opozita, mbart një kuptim të fortë simbolik, duke reflektuar angazhimin tonë të përbashkët kombëtar dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy popujve tanë”, tha deputetja socialiste, Romina Kuko.
“Kjo iniciativë pasqyron vlerat tona të përbashkëta dhe lidhjet e thella historike. Shpëtimi i hebrenjve nga Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore mbetet një simbol krenarie i humanitetit dhe guximit tonë. Përmes kësaj platforme, ne forcojmë partneritetin tonë në promovimin e paqes, bashkëjetesës dhe dinjitetit njerëzor”, u shpreh kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi.
Anëtarët e këtij grupi nënshkruan Rezolutën zyrtare të Grupit Parlamentar të Aleatëve të Izraelit.
“The Jerusalem Post” evidenton faktin se Shqipëria, në vitet e fundit, e ka mbështetur Izraelin në forumet ndërkombëtare, duke përfshirë abstenimin për disa rezoluta të OKB-së.
Ndërkohë, agjencia izraelite e lajmeve “JNS” nënvizon që në krye të artikullit të saj se ky grup përbën një zgjerim të diplomacisë fetare hebreje në kombin me shumicë myslimane në Ballkan.
Tv Klan















