Në prag të finales më të rëndësishme të sezonit, Simone Inzaghi flet me emocione dhe vendosmëri. Në “media day” zyrtare të Interit, trajneri zikaltër hodhi dritë mbi përgatitjet për sfidën ndaj PSG-së dhe përballi zhgënjimin e kampionatit me mundësinë për të hyrë në histori përmes Champions-it.
“Na mungon vetëm një hap”, – thotë ai, ndërsa thekson rëndësinë e zemrës, unitetit dhe shpirtit të grupit. Pyetjeve për ofertat milionere nga Arabia Saudite iu përgjigjet prerë: “Do të flas vetëm për finalen e Mynihut, nuk mendoj për asgjë tjetër deri të shtunën”.
I vetëdijshëm për madhështinë e sfidës në “Allianz Arena”, ai e di që përballë ka një kundërshtar të frikshëm, por beson se Interi i ka armët për të triumfuar: “Kemi qenë gjithmonë të bashkuar, këtë skuadër e dua për atë që është: krenare në fitore, e ndjeshme në humbje”. Mesazh i tij është i qartë: të shtunën e madhe nuk ka vend për shpërqendrime.
Cili është emocion i atij që arrin në finalen e dytë të Champions League në tre vite?
Unë si trajner mund të them që kanë kaluar dy vite nga konferenca e fundit para finales së Stambollit dhe brenda meje ka ende shumë emocione. Kemi arritur një objektiv të madh, shumë të bukur. Kemi bërë ndeshje të shkëlqyera, por të gjithë ne, duke filluar nga lojtarët, e dimë që na mungon hapi i fundit për ta përmbushur ëndrrën, për të hyrë në histori. Nga sot do të përgatitemi sa më mirë. Kampionati ka mbaruar prej dy ditësh, na ka lënë diçka për t’u kujtuar. Është normale që brenda meje dhe te lojtarët të ketë shumë dhimbje, sepse nuk ka kuptim ta mohosh. Të premten unë isha i pezulluar dhe nuk kam folur, diçka që zakonisht nuk e bëj, por ishte e drejtë të përgëzoja Napolin. Ishte një kampionat i luajtur ‘kokë më kokë’, dhe në futboll duhet të dish të humbasësh dhe të fitosh. Tani, në këtë moment dhe në këtë vend, të flas për gjëra të tjera nuk do të ishte e drejtë, do të zvogëlonte vlerën e punës së një skuadre tjetër. Ju kërkoj të mos më pyesni për gjëra të tjera, nga sot do të flas vetëm për atë që do të ndodhë të shtunën në Mynih.
Çfarë ndjesish do të marrësh me vete në Mynih?
Akoma nuk i kam, java jonë fillon sot. Uroj që t’i kem të gjithë lojtarët në dispozicion. Ka besim për Pavard dhe Zielinski, dy lojtarët që nuk ishin në dispozicion të premten në Como. Do t’i afrohemi finales në mënyrën më të mirë, ndjesitë do të ndryshojnë ditë pas dite. Jemi të fokusuar dhe e dimë se me çfarë kundërshtari do të përballemi.
Sa e rëndësishme do të jetë të luhet me zemër edhe një herë, duke kaluar çdo pengesë?
Zemra do të jetë vendimtare. Kjo skuadër gjithmonë ka dhënë shpirtin në fushë. Unë si trajner jam krenar që drejtoj një grup të tillë. E dimë që do të përballemi me një kundërshtar të madh, ashtu siç kanë qenë Bayerni, Barcelona dhe të tjerët që kemi sfiduar deri tani. E dimë që në momente të caktuara duhet të jemi të aftë të vuajmë, si një skuadër e vërtetë dhe e organizuar, që ka luajtur tashmë një finale Champions-i dhe do të duhet të jetë e aftë të menaxhojë ato momente. Do të luajmë kundër një skuadre që, si ne, ka humbur një finale në vitet e fundit. Jemi ndër pak skuadrat që do të luajnë dy finale brenda disa viteve.
Cila është gjendja më e lehtë për t’u trajtuar: PSG me “barkun plot”, apo ju me gjithçka për ta fituar?
Siç thashë më parë, mendoj se vetëm një trajner (Herrera) ka luajtur dy finale Champions-i në historinë e Interit. Por, për të hyrë vërtet në histori, duhet të fitojmë të shtunën. E dimë që do të përballemi me një skuadër super, që e respektojmë shumë si Barcelonën apo Bayern Munich. Edhe parizienët do të kenë përballë një skuadër me të njëjtin qëllim, do të përpiqemi të zhvillojmë një finale të madhe.
A është më e vështirë të përballesh me PSG-në sesa me Barcelonën?
PSG është një skuadër e shkëlqyer, me individë të jashtëzakonshëm. Ka lojtarë shumë të fortë, grup me shumë cilësi dhe një trajner që e vlerësoj shumë, që ka dhënë parime të qarta loje dhe ka luajtur finale Champions-i. E dimë çfarë na pret, këto ditë do të përgatitemi për të qenë në maksimum, duke e ditur që do të duhet një Inter i madh.
A rrezikon ta humbasë fokusin skuadra për shkak të zërave për ofertat nga Arabia Saudite? Si i komenton ato?
Unë mund të them vetëm që klubi më njeh mirë, ndoshta ju jo aq mirë. Është e njëjta gjë çdo vit, si te Lazio, ashtu edhe tek Interi. Për fat ka kërkesa, nga Italia, jashtë vendit dhe Arabia. Unë besoj që do të ishte çmenduri të mendonim për këtë tani. Siç tha presidenti, me të cilin kam një marrëdhënie shumë të mirë, pas finales së Mynihut do të ulemi dhe do të flasim, ashtu siç kemi bërë gjithmonë këto vite. Me një qëllim të vetëm, që është e mira e Interit. Nëse do të jenë të gjitha palët në rregull, do të vazhdojmë. Në këtë moment, të flasësh për këtë do të ishte si të flisje për kampionatin. Ju e keni kuptuar, do të ishte çmenduri të flisje për një gjë që nuk ekziston.
A do të flesh mirë nga e premtja në të shtunë?
Nuk do të jetë një natë si të tjerat. Është ndeshja që të gjithë trajnerët do të donin ta luanin, por nuk iu jepet të gjithëve. Unë si lojtar kam arritur maksimumi deri në 1/8 e Champions-it, tani do të përpiqemi të triumfojmë në Mynih. Kritikat janë pjesë e lojës, unë, si edhe kolegët e mi, jam mësuar me to. Duhet të vazhdojmë të punojmë, pa dëgjuar shumë. Madje ndonjëherë dëgjohet me dobi, e rëndësishme është që kritikat të vijnë nga njerëz kompetentë, jo për arsye të tjera.
Çfarë ndryshon në përballje mes Bayernit, Barcelonës dhe PSG?
Të gjitha janë skuadra shumë të mëdha, si Interi, apo siç ishin Arsenali me Manchester City. Nuk ndryshon gjë, do të kemi përballë një skuadër me shumë cilësi dhe një grup shumë të fortë. Edhe parizienët duhet ta shikojnë Interin që ka arritur finalen pas një rrugëtimi të jashtëzakonshëm. E dimë nga ku kemi nisur dhe se kemi bërë një sezon shumë të mirë. Episodet do të jenë vendimtare, aty duhet të jemi të mirë që t’i drejtojmë në anën tonë, me ndihmën e të gjithë lojtarëve në skuadër.
Lautaro ka luajtur ndaj Barcelonës në kushte të vështira dhe më pas ka munguar në fund të kampionatit. Si është gjendja e tij?
Është mirë, ishte në dispozicion për ndeshjen në Como. Pra, do të ketë një javë normale. Në Como, nëse do të kishim pasur nevojë, do ta hidhnim kapitenin në fushë. Ndeshja po shkonte mirë për ne dhe unë vendosa të pres. Në ditët e fundit para Como, ai dhe Frattesi më dhanë garanci që ishin 100%, por preferova të mos i përdor as gjatë ndeshjes, duke parë rezultatin.
Në finalen e Stambollit, Manchester City ishte favorit në fushë, por diferenca nuk u duk. Si mund t’i ndryshoni parashikimet tani?
Organizimi dhe fryma që do të kemi do të na ndihmojnë. Kur arrin të luash finale, e di që do të përballesh me kundërshtarë të mëdhenj. Manchester City ishte i tillë, ashtu do të jetë edhe PSG. Në një finale nuk ka mënyrë për të bërë gabime apo për të korrigjuar, siç ndodh në një ndeshje fazash, ose vajtje-ardhje. Do të nevojiten të gjithë elementët që skuadra ka treguar, të japë gjithçka në fushë.
Si e bën skuadrën të kuptojë që finalja e Champions-it është diçka më shumë se zhgënjimi i kampionatit?
Këtyre djemve, për atë që kanë bërë në këto katër vite, nuk mund t’iu them asgjë. Kanë qenë jashtëzakonisht të mirë dhe klubi është dakord me mua. Kemi një grup fantastik, ajo që më pëlqen tek ata është ndjenja e përkatësisë. Nuk dua të bëj listë, por ajo që më pëlqen më shumë është t’i shoh bashkë: gëzimin në fitore, lotët në humbje. E premtja nuk ishte një ditë e thjeshtë, besomëni. Ishte një kampionat shumë i vështirë për t’u pranuar, por nuk shohim pas. Në futboll gjithmonë duhet të shohim përpara. Kemi një ndeshje të madhe përpara, ky grup më ka emocionuar gjithmonë dhe mendoj që do ta bëjë edhe të shtunën.
Katër vjet më parë dikush u largua duke menduar se nuk kishte të ardhme. Ju flisnit për parakushtet për të vazhduar bashkë; kjo do të jetë vera e parë kur do të mund të bëhen gjëra ndryshe nga më parë. A do të përfshihet kjo në reflektimet për të ardhmen?
Unë nisem nga ajo që thashë më parë: bashkimi që ekziston mes nesh, mes meje dhe klubit. Kam kontratë me Interin dhe jam shumë mirë këtu. Do të flasim, fokusi kryesor do të jetë Interi dhe të gjithë e dimë sa e rëndësishme është kjo skuadër. Do të ulem dhe do të flas me të mirën e Interit në mendje. Tani, po e përsëris edhe për ju, në mendjen time është vetëm finalja e së shtunës. Mendoj se është diçka që shkon përtej Inzaghit, Marottës, Ausilios dhe të gjithëve.
Conte tha se kampionati tregon konsistencën, ndërsa në Champions peshojnë më shumë dëmtimet dhe pezullimet…
Secili ka idetë e veta, e rëndësishme është të ketë ndershmëri intelektuale. Kampionati është më i gjatë, por edhe Champions-i po zgjatet. Unë nuk pajtohem, mendoj që ngjarjet e papritura janë gjithmonë pranë, të dyja kompeticionet mund të ndikohen nga dëmtimet, golat, penalltitë, një ndeshje e fundit e kampionatit më e lehtë se një tjetër. Mendoj se ndeshjet e Champions-it janë në përgjithësi më të vështira se ato të kampionatit.
Në Stamboll ishit “outsider”, tani jo. Çfarë ndryshon? Dhe a mund të ndikojë kampionati?
Po e përsëris për kampionatin: ka zhgënjim, mund të kishim bërë më shumë. Pavarësisht gjithçkaje që na ka ndodhur, nuk më duket e drejtë të flas sot për të, sepse do të ishte mungesë respekti për fituesin. Rruga për në Stamboll nuk ishte e lehtë, në grup kishim Barcelonën dhe Bayern Munich, rastësisht dy skuadrat që takuam këtë vit në çerekfinale dhe gjysmëfinale. Ishin rrugë të ngjashme për disa aspekte. Tani e ardhmja quhet PSG, quhet e shtuna. Në këtë finale duhet të arrijmë me motivim dhe formën maksimale.