Një 35-vjeçar në Shkodër, është arrestuar këtë të hënë, 23 shkurt, pasi është i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma për trafikim të lëndëve narkotike.
Sipas njoftimit të uniformave blu, Gjykata e Milanos ka caktuar ndaj të riut masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”.
Në pamjet e mëposhtme, shfaqen momentet e arrestimit të 35-vjeçarit.
“Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “Operacionalja”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Vihet në pranga një tjetër i kërkuar ndërkombëtar për trafikim të lëndëve narkotike.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u finalizua operacioni policor i koduar “Operacionalja 84”.
Në kuadër të operacionit, në qytetin e Shkodrës, nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Shkodër, u bë i mundur lokalizimi, identifikimi dhe arrestimi i shtetasit I. D., 35 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, për ekzekutimin e urdhrit për zbatimin e masës së sigurisë personale “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Milanos, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, të parashikuara nga Kodi Penal i Italisë“, njoftojnë blutë.















