GJKKO ka lënë në shërbim prove Besim Çepelen. Ky i fundit akuzohej për veprën penale “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, pg.4 i Kodit Penal.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin në gjyq të çështjes nr. 31 të vitit 2024, me të pandehur Besim Çepele, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, pg.4 i Kodit Penal.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Ardit Mustafaj, Erjon Çela dhe Flojera Davidhi, me vendimin Nr. 54, datë 02.10.2024 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Besim Çepele, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 4 K.Penal, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
Në bazë të nenit 406, pika 1, të K.Pr.Penale, të pandehurit Besim Çepele, i ulet 1/3 e dënimit dhe dënohet përfundimisht me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim.
Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia e të pandehurit në provë, për një afat prove prej 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj, gjatë së cilës i pandehuri duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale.
Bazuar në nenin 60, paragrafi i parë, pika 9 të K.Penal, urdhërohet i pandehuri që brenda periudhës së provës të mos shoqërohet me persona të dënuar për vepra penale.
Afati i provës fillon pas marrjes formë të prerë të vendimit, nga momenti i kontaktit të parë të të pandehurit me shërbimin e provës.
Bazuar në nenin 389 të K.Pr.Penale, deklarohet shuarja e masave të sigurimit
“Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, të caktuar ndaj të pandehurit Besim Çepele me vendimin nr. 64, datë 24.06.2024, të Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Lidhur me provat materiale: Telefonat celulare Motorola dhe Samsung A10, që i janë sekuestruar shtetasit Ardjan Çepele, t‘i kthehen atij.
Shpenzimet procedurale, të përbëra nga shpenzimet e hetimit paraprak dhe ato të gjykimit, sipas përllogaritjes nga sekretaria gjyqësore, i ngarkohen të pandehurit.
Kundër vendimit lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brënda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit.
Tiranë, më datë 02.10.2024
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftim.