Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko prezantoi këtë të hënë raportin vjetor të vitit 2024, në Komisionin e Ekonomisë, duke vënë theksin tek zhvillimet ekonomike të vendit.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko prezantoi këtë të hënë raportin vjetor të vitit 2024, në Komisionin e Ekonomisë, duke vënë theksin tek zhvillimet ekonomike të vendit. Gjatë prezantimit Sejko tha se ekonomia ka vijuar të rritet dhe trendi pozitiv do të vijojë edhe përgjatë viteve të ardhshme, edhe pse rreziqe të ndryshme janë prezentë.
“Në këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë, perspektiva e zhvillimeve ekonomike të vendit mbetet pozitive. Skenari ynë bazë i parashikimeve sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet me ritme të qëndrueshme dhe pranë potencialit, në horizontin afatmesëm. Rritja e qëndrueshme ekonomike do të krijojë premisa për rritje të punësimit, të pagave e të mirëqenies. Megjithatë, rreziqet mbi të ardhmen nuk mungojnë. Në horizontin afatshkurtër, tensionet gjeopolitike dhe konfliktet tregtare mund të kenë pasoja potencialisht negative mbi rritjen ekonomike dhe nivelin e çmimeve në vend. Këto rreziqe duhen monitoruar në vazhdimësi, për t’i paraprirë – në rast materializimi të tyre – një përgjigje sa më të koordinuar dhe efektive të politikave makroekonomike”, tha guvernatori Sejko.
Përtej ecurisë pozitive Banka e Shqipërisë ka 5 rekomandime për qeverinë, në mënyrë që ekonomia të mos cenohet nga sfidat që ka përpara, nga përmirësimi i klimës së biznesit, tek shpërndarja e investimeve të huaja e deri tek adresimi i sfidës demografike e plakjes së popullsisë.
“Në vizionin tonë, reformat strukturore të nevojshme për të adresuar sfidat e mësipërme duhet të synojnë: (i) rritjen e produktivitetit, nëpërmjet investimeve të mëtejshme në arsim e shëndetësi, dhe përmirësimin e klimës së biznesit; (ii) ruajtjen e fokusit në zgjerimin e përmirësimin e gjithanshëm të infrastrukturës publike; (iii) promovimin e konkurrencës, ndër të tjera nëpërmjet reduktimit të mëtejshëm të informalitetit; (iv) nxitjen e investimeve të huaja direkte në sektorë strategjikë, si industria dhe energjetika; si dhe, (v) ruajtjen e fokusit në stabilitetin makroekonomik. Trendet e pafavorshme demografike nënkuptojnë plakjen e popullsisë dhe reduktimin e forcës së punës, në afatin e gjatë. Këto trende, të pranishme në të gjitha ekonomitë e rajonit dhe të Bashkimit Evropian, tentojnë të frenojnë rritjen e produktivitetit dhe cenojnë qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve”, u shpreh Sejko.
Më tej banka gjykon se masa duhet të merren edhe për të pasur rritje të gjerë ekonomike, dhe jo të përqendruar në disa sektorë.
“Ekonomia shqiptare vijon të ketë një zhvillim të diferencuar të ekonomisë, në aspektin sektorial. Zhvendosja e resurseve njerëzore e financiare midis sektorëve ka ndihmuar rritjen ekonomike dhe ka sjellë një rritje të nivelit të përgjithshëm të produktivitetit në ekonomi. Megjithatë, gjetja e një ekuilibri të drejtë midis diversifikimit dhe specializimit të strukturës sonë ekonomike, mbetet një detyrë parësore, e cila duhet të mbahet në vëmendje si nga sektori publik dhe nga ai privat”, tha guvernatori.
Sa i takon kursit të këmbimit, guvernatori theksoi se u shtua sasia e blerë e euros vjet dhe duket se e njëjta situatë po përjetohet edhe gjatë këtij viti.
“Ne intensifikuam blerjet e valutës në tregun vendas, duke tërhequr thuajse 914 milionë euro prej tij gjatë vitit 2024 dhe duke vijuar me ritme të ngjashme edhe gjatë vitit 2025. Rritja e prezencës tonë në tregun valutor synon frenimin e shpejtësisë së forcimit të kursit të këmbimit të Lekut, qetësimin e tregut valutor, si dhe minimizimin e pasojave potenciale negative në stabilitetin monetar dhe financiar të vendit, në rast krijimi të pozicioneve spekulative apo rritjeje të volatilitetit të kursit”, tha Sejko.
Në sektorin bankar tha guvernatori ka pasur rritje të kredisë së dhënë për ekonominë, ndërkohë që rregullorja e bankës qendrore për të caktuar normën maksimale të interesit për jo-bankat për kredinë konsumatorë ka ulur ndjeshëm interesat.
“Gjatë periudhës 2022–2025, norma efektive mesatare maksimale e interesit është reduktuar ndjeshëm, pothuajse me tre herë. Gjithashtu u kufizua edhe niveli maksimal i penaliteteve që mund të përllogariten nga bankat dhe subjektet financiare jobanka, duke vendosur si tavan shumën 30% të këstit ose kësteve të papaguara të kredisë”, tha Sejko.
Para ligjvënësve, Sejko preku edhe kufizimin e bërë me kredinë për blerje banese, si një masë mbrojtëse për ekspozimin e bankave në sektorin e pronave.
“Ky rregullim prezanton në tregun shqiptar një instrument standard të bankave qendrore në vendet e zhvilluara, instrument i cili synon të kontrollojë dhe reduktojë rreziqet potenciale me të cilat mund të përballet sektori bankar nga ekspozimi i rritur ndaj kredive hipotekare”, tha ndër të tjera Gent Sejko.