Eros Grezda është në lupën e ekipeve italiane, pas asaj paraqitje mjaft të mirë që bëri ndaj Italisë. Sulmuesi që shpërtheu tek Lokomotiva e Zagrebit, e më pas u transferua tek Osijeka ka pasur vetëm rritje të nivelit të lojës në vitet e fundit. Këtë e tregoi edhe në dy ndeshjet e fundit përballë Spanjës dhe Italisë ku ishte ndër të vetmit që rrezikoi seriozisht portat kundërshtare dhe tregoi një nivel loje të lartë dhe formë fizike standarde deri në mbylljen e ndeshjes.
Në një shkrim nga “Tuttomercatoweb”, faqja italiane ngre në piedestal paraqitjen e 22-vjeçarit, dhe shkruan se disa klube nga Italia po shfaqin interes për të. Shpërthimin e tij, Grezda e pati në moshën 20-vjeçare, me Lokomotivën e Zagrebit, ku në dy sezone shënoi 14 gola. Këtë verë ai u transferua tek Osijek, po në Kroaci, dhe ka një kontratë deri në vitin 2021.
Trajneri i Osijek, shprehet se Grezda është një thesar, dhe se ia vlen të mbështetet. Shumë menaxherë nga Seria A janë afruar për futbollistin me origjinë nga Kosova, gjithsesi interesimin më konkret e ka shfaqur klubi i Krotones. Pas paraqitjeve të mira edhe me kombëtaren, karriera e Grezdës duket se mund të marrë një ngritje tepër të madhe.