Një operacion policor ndërkombëtar i koduar “Dërgesa”, i zhvilluar nga Policia e Lezhës në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe INTERPOL-in ka çuar në goditjen e një tjetër rasti të trafikimit të armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake nga Shqipëria drejt Italisë.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë në pranga ka rënë një 30-vjeçar nga Malësia e Madhe, i identifikuar si Françesk Mecaj, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe i dënuar më parë si kreu i një grupi kriminal që vepronte në qytetin italian të Lecco-s, pranë Milanos.
“30-vjeçari kishte dërguar drejt Italisë një sasi prej pesë armësh zjarri automatike të tipit kallashnikov, qindra fishekë luftarakë dhe katër krehra fishekësh.”–thuhet në njoftimin e policisë.
Armët dhe municionet u kapën në kufirin mes Sllovenisë dhe Italisë, ku u ndalua një mikrobus me targa shqiptare që kishte nisur udhëtimin nga Shqipëria me destinacion Italinë. Mjeti drejtohej nga shtetasit E. M. dhe A. D., të cilët u arrestuan në flagrancë pasi në bagazhet e tyre u zbuluan armët e fshehura në valixhe të kamufluara me sende të ndryshme.
Hetimet e Policisë së Lezhës bënë të mundur identifikimin e shtetasit F. M., i cili kishte organizuar transportin e armëve kundrejt fitimit financiar.” –thuhet në njoftimin e policisë.
Më tej, autoritetet shtojnë se shtetasi në fjalë siguronte armë dhe municione për palë të treta brenda Bashkimit Evropian, duke përdorur kompani private transporti për të kaluar ngarkesat në mënyrë të fshehtë jashtë vendit.
Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Guardia di Finanza në Itali, si dhe në koordinim me Interpol Tiranën pranë Ambasadës Italiane në Shqipëri.
Policia thekson se operacioni vijon si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali, me qëllim identifikimin e pritësit të armëve në territorin italian, si dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafikimi.
Ndaj 30-vjeçarit janë referuar materialet procedurale pranë Prokurorisë së Lezhës, për veprën penale “Trafikim i armëve dhe municioneve luftarake”.