Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dekretin e Presidentit për zgjedhjet e 9 Nëntorit në Bashkinë e Tiranës. Vendimi erdhi pasi Kushtetuesja u vu në lëvizje nga Erion Veliaj, i cili ankimoi vendimin e shkarkimit të tij si kryebashkiak i Tiranës. Si pasojë, zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës pezullohen. Ky vendim nuk prek 5 bashkitë e tjera ku në 9 Nëntor do të zgjidhen kryetarët e rinj bashkiakë.
“Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri të kalojë çështjen me kërkues Erion Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 tetor 2025 dhe të pezullojë Dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë”, sqarohet në njoftimin e Kushtetueses.
Avokatët e Veliajt më 2 Tetor, depozituan në Kushtetuese një ankim ndaj dekretit të Presidentit të Republikës, që shpalli vakancën në Bashkinë e Tiranës dhe vendosi datën e zgjedhjeve të pjesshme.
Me vendimin e Kushtetueses, do të thotë që zgjedhjet e pjesshme nuk do të zhvillohen. Kujtojmë se kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka deklaruar në Log në News24 se nëse ndodh që Gjykata Kushtetuese të kthejë dekretin, zgjedhjet nuk do të zhvillohen.