Kryebashkiaku socialist i Rrogozhinës Edison Memolla i dënuar në Shkallën e Parë paraqitet në Apelin e Posaçëm Antikorrupsion për tu njohur me vendimin që pritet të shpallet këtë të hënë.
Pas dështimit të seancave radhazi mbi shkaqe të ndryshme, pritet që togat e zeza të Apelit të vendosin nëse lënë në fuqi vendimin e dënimit me 1 vit burg dhe 5 vite ndalim të ushtrimit të funksioneve publike, do ta prishin vendimin apo ta rikthejnë për gjykim në Shkallën e Parë.
Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku, u dënuan nga GJKKO përkatësisht me 1 vit dhe 8 muaj burg, ku për Toskun dënimi u pezullua duke u vendosur në shërbim prove.
Pjesë e kësaj dosje ishte Ndriçim Tafxhafa që u dënua me 1 vit burg gjithashtu për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Më 24 janar të vitit 2025 Gjykata e Posaçme e gjeti dhe e shpalli fajtor Edison Memollën pas hetimeve që morën indicie nga një emision investigativ
Audio përgjimi tregoi se kryebashkiaku, ende në detyrë ndonëse i dënuar nga Shkalla e Parë, në atë kohë kandidat për kryetar bashkie në Rrogozhinë, ndikonte tek një punonjës i OSHEE, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.
Prokuroria e Posaçme tha se gjithë kjo bëhej me qëllim që qytetari të votonte në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 Mars 2022. Përveç dënimit me 1 vit burg, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi si dënim plotësues, se për 5 vitet e ardhshme Memolla nuk mundet të mbajë asnjë funksion publik.















