Nga Norbert Röttgen “The Guardian”/
Ka qenë gjithmonë vetëm një çështje kohe, para se konflikti që po zhvillohet midis Rusisë dhe Ukrainës në Detin Azov, një rrip uji në verilindje të Krimesë, të përshkallëzohej edhe në aspektin ushtarak. Pas hapjes së një ure përgjatë Ngushticës Kerç në majin e këtij viti, Rusia e ka tashmë zonën nën kontrollin e saj, duke i shkaktuar dëme të mëdha ekonomike porteve tregtare ukrainase, Mariupol dhe Berdjansk.
Një situatë e paqëndrueshme, u shndërrua në një akt të paparë dhe të hapur agresioni, kur më 25 nëntor marina ruse sulmoi një rimorkiator ukrainas, konfiskoi 3 anije dhe ekuipazhet e tyre, si dhe bllokoi përkohësisht kalimin nëpër ngushticë. Dy muaj më pare, thashë se me rritjen e tensioneve në Detin Azov, mund të shohim shpejt një “Krime të dytë” – një aneksim të ri territorial.
Kjo tashmë është vërtetuar. Rusia de fakto e ka aneksuar Detin Azov, me anë të mjeteve të saj ushtarake . Kjo duhet parë vetëm si më e fundit, në një zinxhir të gjatë të ndërhyrjeve ushtarake ruse jashtë territorit të saj. Aneksimi i Krimesë në marsin e vitit 2014, ishte një pikë kthese.
Atë ditë, Rusia i ktheu tërësisht shpinën parimeve të mishëruara në Aktin Final të Helsinkit të vitit 1975, dhe të rikonfirmuara më vonë në Kartën e Parisit të vitit 1990:ajo shkeli kufijtë dhe integritetin territorial të një shteti evropian.
Me këtë akt, rendi i pasluftës në Evropë – dhe periudha më e gjatë e paqes në kontinent – mori fund. Për pasojë, konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës, nuk është thjesht një mosmarrëveshje dypalëshe. Përkundrazi, ai ngre çështjen e pozitës politike të Evropës, dhe nëse do të dominojë imperializmi, në vend të sundimit të ligjit.
Është e vështirë të zmadhosh rëndësinë e asaj që po shohim. Kur u bëra kryetar i komitetit të punëve të jashtme në parlamentin gjerman në janarin e vitit 2014, bota ishte tërësisht ndryshe. Konflikti në Ukrainë, kriza e refugjatëve, Brexit dhe tensionet në marrëdhëniet transatlantike të shkaktuara nga zgjedhja e Donald Trump president në SHBA, nuk kishin ndodhur ende.
Përballja me shkeljen e normave ndërkombëtare nga Rusia, është bërë një pjesë e vazhdueshme e punës sime. Presidenti Putin, dëshiron që Rusia të shndërrohet në një kundër-model të rendit liberal të udhëhequr nga Perëndimi. Destabilizimi i vendeve dhe i shoqërive të tjera, është bërë parimi udhëheqës i politikës së tij të jashtme.
Por është e rëndësishme të kihet parasysh, që Putini nuk po vepron nga pozitat e forcës, por nga ato të dobësisë. Parashikimet për rritjen ekonomike të vendit janë të zymta, dhe popullariteti i Putinit ka rënë ndjeshëm. Ankthi i madh i Rusisë i pas Luftës së Ftohtë, vjen nga humbja e ndikimit në skenën globale, sidomos në Evropën Lindore.
Kjo solli pasojën e pashmangshme të emancipimit të ish-republikave sovjetike. Rusia ndihet e lënë mënjanë, ndaj po përpiqet të ndalë rënien e vet, duke përdorur mjetet e saj më të fundit që ka në dispozicion:fuqinë ushtarake, dhe kontrollin mbi qasjen në burimet e energjisë.
Si evropiano-perëndimorë , ne duhet ta pranojmë fajin tonë në këtë gjë:nuk i morëm seriozisht shqetësimet e Rusisë. Mbaj mend se pyeta në fillim të vitit 2014, se si mund të trajtojmë më mirë nervozizmin e Rusisë, lidhur me marrëveshjen e planifikuar të asocimit mes Bashkimit Evropian dhe Ukrainës.
Ajo që ndodhi më vonë, tregoi se Perëndimi e kishte nënvlerësuar krejtësisht, atë që do të thoshte për Rusinë afrimi i Ukrainës me Perëndimin. Që nga zgjerimi i BE-së në Lindje në vitin 2004, Rusia pa njërin vend pas tjetrit në lagjen e saj, që ta lidhte veten me Evropën Perëndimorem, dhe të përfitonte nga kjo politikisht dhe ekonomikisht. Ndërkohë Rusia, po dështonte të modernizonte dhe të rindërtonte ndikimin e saj.
Deri në vitin 2011, së bashku me presidentët e Bjellorusisë dhe Kazakistanit, Putin kishte nënshkruar një marrëveshje për të ngritur një Bashkim Ekonomik Euroaziatik (EEU) – i projektuar si një kundër-model ndaj BE-së. “Humbja” e Ukrainës – një kandidate e natyrshme për EEU – ishte padyshim e tepërt për Rusinë.
Sigurisht, unë nuk po përpiqem në asnjë mënyrë ta mbroj agresionin ushtarak të Rusisë. Ukraina, është një shtet Sovran, dhe ka të drejtë të vendosë vetë se cilave aleanca dëshiron t’i bashkohet.
Bashkimi Evropian, kishte të drejtë ta mbështeste që në fillim atë proces.
Por sigurisht që ishte naïve, që Perëndimi të supozonte se Rusia do t’i pranonte pa bërë zë zhvillime të tilla. Ç’duhet të bëjmë tani? Ne s’mund ta durojmë më agresionin e mëtejshëm të Rusisë, për shembull në vijën bregdetare të Detit Azov, e projektuar për të hapur një rrugë tokësore në gadishullin e Krimesë.
Mbi të gjitha, përgjigjja e BE-së duhet të jetë koherente dhe unanime:forca jonë më e madhe, qëndron tek uniteti ynë. Mjetet ushtarake janë jashtë diskutimit, por duhet të merren parasysh të gjitha masat që nuk janë pjesë e luftës fizike. Para së gjithash, Rusia duhet menjëherë të lirojë anijet ukrainase të konfiskuara pranë ngushticës Kerç dhe ekuipazhet e tyre.
Një shenjë e mirë, është fakti që Rusia e ka rihapur tashmë Ngushticën Kerç për anijet e Ukrainës. Por liria e lundrimit në Detin e Azov, duhet të garantohet në çdo kohë. Së dyti, Marrëveshja e Minskut e vitit 2015, që synon zgjidhjen e konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës, duhet të zbatohet menjëherë nga të dyja palët.
Pa këtë, nuk do të jetë e mundur që ne të lehtësojmë sanksionet ekzistuese. Por ne duhet të shkojmë më tej:në veçanti Gjermania duhet të rishikojë urgjentisht projektin e diskutueshëm të gazsjellësit “Nord Stream 2”. Unë kam qenë prej kohësh një kritik i këtij projekti, që synon ndërtimin e një alternative ndaj rrugëve ekzistuese të tranzitit të energjisë përmes Evropës Lindore.
”Nord Stream 2”, vështirë se është një projekt thjesht tregtar; ai ka synime të forta gjeopolitike . Lejet e ndërtimit tashmë janë dhënë nga të gjitha vendet e Evropës që përfshihen në të – me përjashtim të Danimarkës – prandaj ndalimi i projektit është bërë edhe më i vështirë.
Më së paku, Rusia duhet të garantojë vazhdimin e kalimit tranzit të gazit përmes Ukrainës. Ndërkohë Brukseli duhet të sigurojë që gazsjellësat rusë në territorin e unionit, të funksionojnë në përputhje me rregullat e konkurrencës së bllokut. Këtu sërish duhet të veprojë Gjermania. Vendi im, duhet ta braktisë veton e vet, për një reformë të planifikuar të direktivës së gazit të BE.
Një gjë është e qartë – nuk ka zgjidhje të shpejta për tensionet midis Evropës dhe Rusisë.
BE-ja duhet të ruajë një linjë dialogu me Rusinë, përndryshe s’do të ketë paqe në Ukrainë.
Për t’u marrë vesh me Putinin, ne kemi nevojë për një durim strategjik, dhe aty ku është e mundur, duhet të identifikojmë interesat e përbashkëta. Evropianët, kanë qenë ndoshta shumë naivë në të kaluarën, por nëse qëndrojmë të gjithë të bashkuar, mund të hartojmë politika që do të funksionojnë në të ardhmen.
Shënim:Norbert Röttgen, është kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Bundestagun gjerman.
Përashtati për Tirana Today, Alket Goce