Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato ka qenë këtë të mërkurë në zyrat e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku është takuar me kryetaren Mirela Bogdani.
“Një sistem drejtësie i besueshëm dhe i pavarur mbetet thelbësor për të forcuar besimin e qytetarëve dhe për të avancuar rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e zyrës së BE në Tiranë.
Referuar deklaratës, bëhet me dije se Gonzato u takua me Mirela Bogdanin për të diskutuar punën në të ardhmen dhe momentet kyçe që priten, përfshirë përzgjedhjen dhe emërimin e Kreut të ri të SPAK.
“Delegacioni i BE-së do të ndjekë nga afër këtë proces, duke vazhduar njëkohësisht të mbështesë të gjithë sistemin gjyqësor në forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe efikasitetit në të gjitha nivelet”, thotë njoftimi.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë i njohur dhe si Qeveria e Prokurorëve, ka një rol thelbësor në garantimin e procedurave transparente dhe të bazuara në meritë për ngritjet në detyrë, vlerësimet dhe standardet profesionale brenda sistemit të prokurorisë.
“Ne do të vazhdojmë të asistojmë KLP-në me ekspertizën tonë më të mirë për të ndihmuar Shqipërinë të përmbushë standardet e BE-së”, përmbyllet deklarata.















