Tirana-Flamurtari duhet të ishte luajtur si normalisht në orën 17:00, por ka zgjatur vetëm 25 minuta, pasi arbitri ka vendosur t’i dërgojë skuadrat në dhomat e zhveshjes. Motivi? E thjeshtë ! “Liqeni” në “Selman Stermasi”, për shkak të shiut të rrëmbyeshëm. Në pjesën e luajtur, Tirana iu afrua golit por Hasani shpërdoroi penalltinë.
Zyrtarët e sfidës kanë marrë vendimin për ta shtyrë përfundimisht ndeshjen mes Tiranës dhe Flamurtarit, për ta nisur nesër në orën 13:00.
Pas ndërprerjes së takimit mes Tiranës dhe Flamurtarit, prej shiut të madh, delegati i këtij takimi, Lusien Nurishmi, në një prononcim për “Supersport”, tregoi si u mor vendimi me zyrtarët dhe drejtuesit e dy ekipeve, dhe si do procedohet me ndeshjet e Tiranës dhe Flamurtarit në fundjavë, në Superiore.
Pse u ndërpre takimi?
Shiu i madh ishte prezent që prej orës 16:00. Skuadrat dolën në nxehmje, dhe situata erdhi duke u përkeqësuar. Vendosëm të prisnim disa minuta, nëse intensiteti i shiut do binte. Morëm një vendim për ta filluar nesër ndeshjen, në orën 13:00, në minutën e 25-të, aty ku u ndërpre.
Pati ndonjë klub që nuk e donte shtyrjen?
Të dyja klubet donin që takimi të luhej, por duke parë që topi nuk ecte, ngelte në ujë. Gjithashtu, duke parë edhe se vijëzimi nuk dukej, u pa e arsyeshme të shtyhej, pasi nuk mund të luhej në këto kushte.
Si është programuar Superiorja tani?
Skuadra e Flamurtarit e kishte në program ndeshjen për të shtunën, por duke parë këtë shtyrje, do ia çojmë ndeshjen të dielën, kurse Tirana e ka ndeshjen ditën e dielë, dhe nuk do ketë nevojë për shtyrje.
Sektori i garave duhet të jetë më vigjilent, për të bërë një frymëmarrje për kalendarët e ekipeve…
E vërtetë, kur është hartuar kalendari, mund ta shikoni, ky është turi i dytë. Ne kemi edhe 3 ture të tjerë. Jemi munduar që në mesjavë të kemi vetëm ndeshje Kupe, ndërsa në fundjavë vetëm Superiore. Klubet siç e dini, janë në fazë përgatitore, dhe nuk kanë qenë dakord për ta nisur më herët Kupën. Kur përcaktojmë datat, kemi një komision garash, dhe marrim vendimin e klubeve. Janë ato që mund të bëjnë modifikime në datat e kalendarëve.