Inter ka fituar me lehtësi 6-2 ndaj Benevento-s duke kaluar në çerekfinalen e Copa Italia, ku do të ndeshet me Lazio-n muajin e ardhshëm. Andria Ranocchia dhe Danielle Padelli kanë luajtur ndeshjen e parë të sezonit, teksa Lautaro Martinez është vendosur përkrah Mauro Icardi-t që nga minuta e parë.
Tifozët Zikaltër i quajnë “Mautaro” dhe sot më në fund i kanë parë të dy që nga minuta e parë. Lautaro e ka mbyllur ndeshjen me dy gola të shënuar, ndërsa Icardi me një. Gjithsej Martinez ka pesë, dhe të pestë i ka shënuar në Meazza këtë sezon.
Ndeshja është zhvilluar në një San Siro të boshatisur. Inter është dënuar me dy ndeshje pa tifozë për shkak të thirrjeve raciste në sfidën ndaj Napolit në fund të dhjetorit. Tashmë, në fazën tjetër, ekipi i Spallettit do të gjejë përballë Lazion e Strakoshës.