Bayern Munich është rikthyer të fitojë bindshëm në Bundesligë. Të besuarit e Niko Kovaç kanë mposhtur me lehtësi në transfertë Hannoverin me rezultatin e thellë 0-4. Një fitore që i afron me kreun vetëm 6 pikë dhe aktualisht bavarezët mbajë vendin e tretë, por kryesuesit e Dortmund kanë luajtur një ndeshje më pak.
Bayern zhbllokoi rezultatin që pas 62 sekondave. Ishte Joshua Kimmich ai që me një goditje të bukur në hyrje të zonës ka mposhtur portierin Esser. Ky ishte goli më i shpejtë që prej 7 prillit të vitit 2012, kur Mario Gomez shënoi ndaj Augsburg as vetëm 24 sekondave. Në minutën e 29’ erdhi goli i dytë, i përafërt me atë të parin. Këtë herë ishte David Alaba ai që goditi topin me të parën duke e dërguar në trekëndëshin e djathtë.
Pas pushimit ishte Gnabry që vulosi fitoren për bavarezët pas një goli të shënuar me shumë fat brenda zonës. Pas tij, në minutën e 62’, ishte Robert Lewandowski ai që shënoi një gol më se të merituar duke e kthyer në një ditë feste për kampionët në fuqi. Kaq mjaftoi për djemtë e Kovac, që vazhdojnë të përmirësohen nga ndeshja në ndeshje.