Pas vdekjes tragjike të futbollistit argjentinas, Emiliano Sala, ka nisur edhe pjesa më e shëmtuar, beteja ligjore mes dy klubeve. Buletini zyrtar i shkaqeve dhe të dhënave të rrëzimit të avionit ku po udhëtonte sulmuesi, ka bërë që edhe mes Nantes e Cardiff të fillojnë betejën ligjore për paratë që duhet të paguhen për lojtarin që tashmë nuk jeton më.
Në “valle” janë 17 milionë euro. Cardiff duhet të kishte paguar para një jave këstin e parë te Nantes, mirëpo klubi anglez kërkoi që ky afat të shtyhet me datë 27 shkurt (sot) dhe klubi francez pranoi.
Data ka ardhur dhe Cardiff nuk do të paguajë me arsyetimin që të përfundojë fillimisht hetimi i plotë, por Nantes do ta paraqesë çështjen në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit pasi sot duhet të ishin paguar 6 milionë euro.
Klubi nga Uellsi ka pranuar se do ta bëjë pagesën për të cilën është arritur marrëveshja, por jo pa u zbardhur tërësisht ngjarja e 21 janarit, ku avioni Piper Malibu ra në kanalin e La Mansh-it. Sipas “BBC”, Nantes nuk do të presë më dhe tani fillon një betejë ligjore mes klubeve, teksa shuma prej 17 milionë euro duhet të ishte paguar në tre këste brenda tri viteve.