Popullsia e Shqipërisë po tkurret me ritme shumë më të larta gati dy deri tre herë më shumë se në vendet e tjera të Rajonit sipas të dhënave të azhurnuara nga Eurostat për popullsinë e vendeve kandidate.
Në vitin 2025 popullsia zyrtare Shqipërisë ishte 2,363,314 banorë me një tkurrje prej rreth 27,628 personash brenda një viti, ndërsa në terma relativë rënia ishte –1.2%, norma më e lartë në rajon.
Sipas të dhënave të Eurostat rënia e popullsisë së Bosnjë-Hercegovinës është –0.3%, ajo e Maqedonisë së Veriut –0.2%, e Serbisë -0.6% dhe Mali i Zi me -0.1%.
Në 4 vendet e tjera kandidate të Ballkanit Perëndimor popullsia ra mesatarisht me 0.3 %, ndërsa në Shqipëri gati 4 herë më shumë, me 1.1%.
Diferenca tregon se fenomenet demografike, veçanërisht emigracioni i vazhdueshëm dhe ulja e lindshmërisë, po ndikojnë vendin tonë më shumë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor me statusin kandidat për tu anëtarësuar në BE.
Në vitet e fundit rënia e popullsisë është përshpejtuar për shkak të tkurrjes së të rinjve që po ulin me shpejtësi lindjet nga viti në vit.
Tkurrja e fortë në grup-moshën deri 30 vjeç po vjen kryesisht si pasojë e emigracionit të lartë që vazhdon të jetë ndër më të lartët në Europë. Shqiptarët, veçanërisht të rinjtë dhe profesionistët, largohen për paga më të larta, kushte më të mira pune dhe mundësi më të qëndrueshme karriere në vendet e BE-së. Kjo tendencë është rritur pas liberalizimit të tregut europian të punës dhe skemave të rekrutimit të vendeve si Gjermania, që kanë kërkesa të mëdha për fuqi punëtore.
Të dhënat e brendshme tregojnë se popullsia nga 15-29 vjeç që përfaqëson grupin e të rinj aktiv në emigrim u tkurr me 45 për qind ndërmjet 2011 dhe 2025.
Gjithashtu Shqipëria ka nivelin më të ulët të lindjeve në historinë e saj të tranzicionit me një normë fertiliteti rreth 1.2 fëmijë për grua në moshë lindje, shumë poshtë nivelit e zëvendësimit dhe nga më të ulëtat në Europë. Shumë çifte të reja shtyjnë krijimin e familjes për shkak të pasigurisë ekonomike, kostove të larta të rritjes së fëmijëve dhe emigrimit të partnerëve.
Në dekadën në vijim numri i vdekjeve pritet të jetë më i lartë se ai i lindjeve dhe do krijojë deficit natyror që vetëm do të thellohet nëse nuk merren masa frenuese./ Monitor













