Një ngjarje tronditëse ka ndodhur ditën e sotme, ku brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë, gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me armë zjarri nga Elvis Shkambi.
Por si arriti të futej brenda në sallë autori i armatosur, kur në këtë institucion, si në çdo institucion tjetër, kalohet nëpër disa kontrolle fizike dhe me detektor metalik?
Në njoftimin e bërë nga policia thuhet:
“Në orën 13:42, në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës janë futur dhe kanë kaluar nga pajisja skaner (detektor), njëri pas tjetrit, shtetasit E. Sh. dhe G. Sh. Në ekranin e detektorit është sinjalizuar prezenca e metaleve duke ndezur dritat e kuqe, por shtetasi B. K., me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës.
Të dy këta shtetas, E. Sh. dhe G. Sh., qëndrojnë në hollin e pritjes së Gjykatës deri rreth orës 15:29, dhe më pas futen në ambientet e sallës së zhvillimit të seancës gjyqësore (salla nr. 3). Në orën 15:35, palët ngrihen në këmbë dhe, menjëherë pasi gjyqtari A. K. shpall vendimin, shtetasi E. Sh., që ndodhej në sallë, nxjerr nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëllon disa herë në drejtim të gjyqtarit A. K., i cili, si pasojë e dëmtimeve të marra dhe pas ndihmës së parë mjekësore, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.
Njëkohësisht, pas këtij veprimi, shtetasi E. Sh. i drejton pistoletën dhe qëllon një herë në drejtim të shtetasve R. K. dhe E. K., duke i plagosur të dy, të cilët aktualisht ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se shtetasi G. Sh. nuk ndërmerr asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij, çka krijon dyshimin e arsyeshëm se ai ka qenë në dijeni të planit për ekzekutimin e gjyqtarit të çështjes, në rolin e shtytësit dhe/ose ndihmësit.
Pas ngjarjes, shtetasi E. Sh. ka dalë nga salla dhe i ka dorëzuar armën shtetasit B. P., me detyrë nëpunës gjyqësor, për mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore, në një tjetër sallë. Autori E. Sh., pas daljes në oborr, është neutralizuar dhe prangosur menjëherë nga punonjësit e Policisë”.
Autori është 30-vjeçari Elvis Shkambi, i cili u arrestua menjëherë pas ngjarjes, teksa arma e krimit u sekuestrua.
Babë e bir janë të plagosurit, teksa kanë mbetur të plagosur në disa pjesë të trupit. Babai ka plagë të lehta në kraharor dhe këmbë, ndërsa i biri plagë të lehta në dorë.
Të plagosur kanë mbetur edhe dy persona të tjerë, babë e bit, të identifikuar si Rakip Kurtaj, 65 vjeç dhe Ervis Kurtaj, 45 vjeç.
“Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi Elvis Shkambi, 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces).
Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit”, njofton policia.