Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka folur në një emision televiziv i cili ka hedhur poshtë deklarata e bëra sot në seancë gjyqësore nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, i cili tha se kanë grabitur banesën e dhëndrit të Dukës.
Agron Duka u shpreh se kjo nuk është aspak e vërtetë dhe se nuk e di se si ka lindur ideja e Dumanit për të thënë se kanë grabitur banesën e dhëndrit.
“Dhëndri im jeton prej vitesh në Angli me vajzën time dhe dy fëmijët e tyre, nuk është e vërtetë që i është grabitur banesa. Nuk e di si i ka lindur kjo ide. 500 mijë euro unë s’kam pse i mbaj në shtëpi, unë jam biznesmen, paratë i mbaj në bankë”, tha ai duke hedhur poshtë deklaratën e Dumanit.
Kujtojmë se në procesin me dyer të hapura në GJKKO, Dumani pretendoi se kanë grabitur banesën e dhëndrit të Agron Dukës.
Pyetjes së nëse kanë kryer grabitje banesash, Dumani iu përgjigj: Po në Shijak dhe në Vilbashtovë. Shtëpia ishte e dhëndrit të Agron Dukës sipas Dorian Shkozës dhe kishte mbi 500 mijë euro aty. Grabitja është bërë me makinën time tip ML. I kam hequr targat dhe pjesë që të mos dukej se është e imja.