Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë publikisht dorëheqjen e Ermal Dredhës nga posti i kryetarit të Bashkisë së Vlorës, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.
Rama e përshkroi situatën në Bashkinë e Vlorës si një shfaqje të vetëkënaqësisë dhe karshillëkut, duke theksuar se problemet nuk lidhen vetëm me një individ, por me një mentalitet më të gjerë në administratën lokale.
“Vetëkënaqësi labe e mbingarkuar me re në pantallonat e pushtetit. Dembelizëm dhe karshillëk ndaj popullit të Vlorës, e një haradheje të tërë njerëzish pa fe, pa atdhe, pa din e iman me mandatin e drejtorit,” deklaroi Rama me tone kritike, duke shtuar se shumë prej këtyre individëve ishin ngarkesë për qeverinë dhe silleshin si “pasagjerët e autobusit të Kuçit”.
Rama nënvizoi se dorëheqja e Dredhës nuk është një rast i izoluar, por një sinjal që kërkon reflektim më të gjerë nga strukturat politike dhe administrative të PS-së në nivel vendor.
“Do ishte problematikë nëse do kishte lidhje me kryetarin e bashkisë, i cili në atë situatë është më i miri. Por nuk është vetëm Vlora. Dorëheqja e Ermalit, pas bisedave që kemi bërë, është tregues i një njeriu që e ndjen dhe e do Vlorën,” tha Rama, duke lënë të kuptohet se largimi ishte i koordinuar dhe me vetëdije.













