Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe tashmë zv.president i UEFA-s, feston sot ditën e lindjes. Ai bën 61 vjeç dhe stafi i institucionit që drejton dhe që e ka çuar në majat më të larta, i ka uruar ditëlindjen.
“Sot është një ditë e veçantë për Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, z. Armand Duka! Ai feston ditëlindjen e 61-të dhe familja e madhe e futbollit i uron shëndet dhe çdo të mirë në jetë! Sa më shumë suksese në karrierë dhe në krye të futbollit shqiptar. Gëzuar President”, shkruan FSHF.
Armand Duka drejton Federatën Shqiptare të Futbollit prej vitit 2002 dhe e ka transformuar rrënjësisht shtëpinë e futbollit, me një përfaqësim të denjë mes federatave homologe në botë.
Pavarësia e institucionit në drejtimin profesional te futbollit, shëndoshja e buxheteve financiare duke thithur investime e sponsorizime dhe një pjesëmarrje dinjitoze në organizmat ndërkombëtare kanë qenë disa nga sfidat e tij tanimë të realizuara.
Rritja dhe zhvillimi i skuadrave përfaqësuese në organizim dhe në rezultate teknike, ndërtimi i stadiumeve kombëtare, zhvillimi i ekipeve të moshave, mbështetja e ekipeve vendase dhe rritja e cilësisë së tyre janë disa nga objektivat që Armand Duka i ka bërë realitet.
Një lajm i mirë për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët, që sigurisht konfirmoi angazhimin e presidentit të FSHF-së në transformimin e futbollit vendas, ishte dhe zgjedhja e tij si zv.president i UEFA-s me vota unanime nga të gjithë anëtarët.