Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara në Shqipëri, organizatat partnere të shoqërisë civile, të rinj e të reja aktiviste në mbarë vendin, çelën fushatën “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, me temë “Asnjë justifikim për dhunën online”.
Në qendër të vëmendjes këtë vit është kërcënimi në rritje i dhunës përmes internetit, për të cilin Shqipëria shënon përpjekje dhe angazhime në shkallë të gjerë, që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit dhe mobilizimin e komuniteteve për veprim.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, në ceremoninë çelëse të fushatës nënvizoi se parandalimi dhe reagimi kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, përfshirë në hapësirat digjitale kërkon politika të qarta, institucione të fuqishme dhe vullnet kolektiv.
“Shqipëria është ndër vendet e para që adreson dhunën e shkaktuar nga teknologjia. Projektligj i ri për parandalimin dhe mbrojtjen ndaj dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, si dhe propozimet për përmirësimin respektiv të Kodit Penal, janë një bazë e mirë e kuadrit legjislativ.
Po forcojmë kapacitetet e institucioneve dhe strukturave të zbatimit të ligjit, përmes përcaktimit të qartë të roleve të institucioneve shtetërore për parandalimin dhe trajtimin e dhunës kibernetike. Siguria digjitale duhet të bëhet pjesë e edukimit të hershëm, duke e integruar këtë temë në kurrikula shkollore, në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë të kenë aftësitë e duhura për të naviguar në botën online në mënyrë të sigurt. Gjithashtu, do të garantojmë mbështetje të specializuar për viktimat e dhunës digjitale, ndërsa po ndërtojmë ura bashkëpunimi me platformat digjitale, kompanitë e teknologjisë dhe sektorin privat“, nënvizoi ministrja.
Ingrid Macdonald, Përfaqësuese e Përhershme e Kombeve të Bashkuara theksoi:
“Ndërsa nisim 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, gjendemi përballë një realiteti të zymtë, që kërkon veprim të ngutshëm: dhuna digjitale po rritet me shpejtësi alarmuese. Në Shqipëri, 41% e grave janë përballur me dhunë në internet, ndërsa në nivel global 1,8 miliard gra vazhdojnë të mos kenë mbrojtje ligjore. Çdo grua dhe vajzë meriton siguri, dinjitet, dhe lirinë për të jetuar pa dhunë në të gjitha aspektet e jetës – qoftë në internet apo jashtë internetit. Megjithëse këto 16 ditë të aktivizmit janë shumë të rëndësishme për të vënë në qendër të vëmendjes problemin, lufta jonë nuk mund të ndalet me përfundimin e fushatës. Dhënia fund e dhunës digjitale është një detyrë urgjente dhe e padiskutueshme dhe duhet të na shërbejë si parim udhërrëfyes në veprimet tona çdo ditë.”
Gjithashtu, në këtë ceremoni u ndanë 10 çmime mirënjohje për përfaqësues të fushave të ndryshme të shoqërisë, për vlerësimin e kontributit e tyre në mbrojtjen e vajzave dhe grave, si dhe në luftën kundër dhunës ndaj tyre.
Gjatë 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore, në të gjithë vendin do të zhvillohen aktivitete edukative, veprimtari të drejtuara nga të rinjtë dhe të rejat, nisma shkollore, forume komunitare dhe shfaqje artistike, që synojnë t’u kundërvihen normave të dëmshme dhe të promovojnë një kulturë sigurie dhe respekti, si në internet ashtu edhe jashtë tij.












