Shqipëria është vlerësuar me çmimin e parë “Future Fit Seal – Global Edition” për Diellën, ministren e parë të bazuar në inteligjencë artificiale. Lajmin e dha ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila ndodhet në Dubai ku ka marrë pjesë në World Governments Summit. Ministrja bëri me dije se Diella u vlerësua si fituese sepse përfaqëson një hap të guximshëm drejt përdorimit të teknologjive të avancuara në administratën publike.
“Ajo pasqyron vizionin e Shqipërisë për një model të ri qeverisjeje, ku inovacioni ndërton besim, teknologjia u shërben njerëzve dhe e ardhmja ndërtohet me përgjegjësi dhe qëllim të qartë”, tha ajo.
Më tej ministrja shtoi se, “Në qendër të çdo bisede është inovacioni digjital dhe mënyra se si inteligjenca artificiale mund të përkthehet në përfitime konkrete për qytetarët dhe biznesin, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve publike. Jam veçanërisht e nderuar që këtë vit Shqipëria u vlerësua me çmimin e parë “Future Fit Seal – Global Edition” për Diella, ministren e parë të bazuar në inteligjencë artificiale”.
Ministrja bëri me dije se qeveria shqiptare po ndërton një administratë moderne dhe transparente duke premtuar se do të vijojë të investojë në inovacion.
“Qeveria shqiptare po ndërton një administratë moderne dhe transparente dhe do të vazhdojë të investojë në inovacion si një shtyllë kyçe për përmirësimin e shërbimeve publike dhe forcimin e shtetit, për gjeneratat e sotme dhe ato që vijnë. Diella dëshmon se lidershipi në inovacion nuk përcaktohet nga madhësia e vendit apo e buxhetit, por nga vizioni dhe guximi për të rishikuar modelet tradicionale të qeverisjes. Përmes Diellës, Shqipëria ka vendosur standarde që po frymëzojnë ndryshime edhe përtej kufijve të saj. Ky vlerësim ndërkombëtar na motivon të ecim përpara me edhe më shumë vendosmëri drejt një qeverisjeje të orientuar nga e ardhmja”, tha Ibrahimaj.















